Kurti: Zgjedhjet erdhën pas moszgjedhjes së presidentit, Kosovës i duhet stabilitet politik
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedimet për arritjen e një dakordimi politik për formimin e institucioneve janë rikthyer këtë javë, pas një pauze për shkak të zhvillimeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje synon që përveç LDK-së të zhvillojë bisedime edhe me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje sa më të gjerë politike.
“Bisedimet u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, rifillimi u bë këtë javë. Duam bisedime edhe me PDK-në dhe AAK-në”, ka deklaruar Kurti në seancën e Kuvendit.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se ato erdhën si pasojë e moszgjedhjes së presidentit në muajin prill.
“Zgjedhjet e 7 qershorit u shkaktuan sepse në prill nuk u zgjodh presidenti. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordim sa më i gjerë, siç e kërkon kushtetutshmëria”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të përmbyllet me sukses, pasi një dështim i radhës do ta çonte vendin drejt një situate të re politike.
“Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme të arsyeshme”, ka thënë Kurti.



