Rrahmani: Kurti po synon kontroll të plotë të institucioneve

06 gusht 2026 | 12:24

Deputeti i rizgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka folur pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

I pyetur nëse do të jetë i pranishëm në rast se gjatë mbrëmjes thirret një seancë tjetër, ai ka thënë se vendimi do të varet nga zhvillimet e mëtejshme.

“Duhet t’i shohim aktivitetet dhe veprimet e kësaj shumice, e pastaj të marrim vendime. Kjo është qasja që e kam thënë në vazhdimësi. Kryeministri në detyrë po kërkon kontroll dhe pushtet, duke tentuar të menaxhojë gjithçka. Kjo është një tentativë tjetër për të vazhduar me mbajtjen e kapjes së shtetit”, ka deklaruar ai.

Lidhur me mundësinë e një ftese nga kryetari i LV-së, Albin Kurti, për takim, deputeti i PDK-së nuk ka dhënë një përgjigje personale, por iu është referuar qëndrimit të partisë.

“Ka dhënë deklaratë vetë kryetari i partisë, kështu që ato janë qëndrimet që i ka dhënë kryetari”, është shprehur ai.

I pyetur për shqetësimet e ngritura lidhur me praninë e ministrave të zgjedhur deputetë në sallën e Kuvendit dhe për mosdorëheqjen e ministrave, ai ka thënë se kjo përbën vazhdimësi të shkeljeve kushtetuese.

“Është i njëjti problem. Ka pasur praktikë të njëjtë edhe në zgjedhjet e kaluara. Ka vazhdimësi të shkeljeve të Kushtetutës. Ne po i shohim veprimet e tyre si në ekzekutiv, ashtu edhe në Kuvend, ku sipas nesh po i keqpërdorin pozitat dhe po marrin vendime në vazhdimësi”, ka thënë Rrahmani. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falënderuar…