ASK-ja: Rritet numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës gjatë muajit qershor
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e hotelerisë për muajin qershor 2026.
Sipas njoftimit të ASK-së, numri i vizitorëve në hotelet e Kosovës ka shënuar rritje gjatë muajit qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga të dhënat zyrtare është bërë me dije se gjatë këtij muaji në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 70 234 vizitorë. Prej tyre, 28 638 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 41 596 ishin vizitorë të huaj.
Krahasuar me qershorin e vitit 2025, kur numri i përgjithshëm i vizitorëve ishte 63 502, në qershor të këtij viti është shënuar rritje prej 10.6 për qind.
“Në qershor 2026, numri i vizitorëve në hotele ishte 70 234, prej tyre vizitorë vendorë ishin 28 638 dhe vizitorë të jashtëm ishin 41 596. Krahasuar me muajin qershor të vitit 2025, kur ishin 63 502 vizitorë, pati rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 10.6 për qind”, është thënë në njoftimin e ASK-së.
Ndërsa numri i net-qëndrimeve gjatë këtij muaji ishte 163 739. Prej tyre, 85 783 net-qëndrime, ose 52. 4 për qind, u realizuan nga vizitorët e jashtëm, ndërsa 77 956, ose 47.6 për qind, nga vizitorët vendorë.
Sa u përket vizitorëve të huaj, në muajin qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, është shënuar rritje prej 5.2 për qind.
“Në total, 41 596 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra, etj.”, është thënë në njoftimin e ASK-së.



