Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende nuk ka marrëveshje politike

07 gusht 2026 | 16:01

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje politike pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Kurti ka thënë se, pavarësisht betimit të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbetet e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.

“Meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat padyshim, sikurse ato të mëhershmet, do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse përmes një marrëveshjeje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se nëse zgjidhen kryetari dhe kryesia e Kuvendit, si dhe formohet qeveria e re, por mbetet pa u zgjidhur çështja e presidentit, atëherë vendi do të përballet sërish me të njëjtin problem.

“Pra, në kushtet kur ne zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, zgjedhim qeverinë e re të Republikës së Kosovës, mirëpo vijmë sërish te problemi i zgjedhjes së presidentit, kjo është një formulë tashmë e sprovuar dhe me metoda të njëjta nuk mund të kemi rezultate të tjera. Andaj kjo do të çojë në mënyrë të pashmangshme drejt shpërndarjes së Kuvendit”, ka thënë ai.

Kurti ka përsëritur se marrëveshja politike ende nuk ekziston, duke theksuar se pritjet dhe qëndrimet e palëve vazhdojnë të jenë të ndryshme.

“Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Kurti pas takimit me Abdixhikun. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas…