FIFA del zyrtarisht në mbrojte të Infantinos

09 gusht 2026 | 11:10

FIFA ka reaguar ashpër ndaj raportimeve të fundit për presidentin e saj, Gianni Infantino, duke i cilësuar ato si pjesë e një “përpjekjeje të koordinuar dhe të vazhdueshme” për të dëmtuar organizatën dhe kreun e saj.

Reagimi erdhi pas një raportimi të “Daily Telegraph”, ku pretendohej se një grua me të cilën Infantino dyshohet se kishte pasur lidhje gjatë kohës kur ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, kishte marrë një pagesë largimi nga institucioni.

FIFA ka mohuar fuqishëm këto pretendime, ndërsa një zëdhënës ka thënë se Infantino i konsideron ato “kategorikisht të pavërteta”.

“Spekulimet dhe insinuatat nuk duhet të paraqiten si fakte”, thuhet në reagimin e FIFA-s.

Ndërkohë, presioni ndaj Infantinos është rritur në Evropë për shkak të projektit të dështuar FIFA Forward Enterprise (FFE), që parashikonte krijimin e një kompanie për menaxhimin e të drejtave komerciale dhe biletave të FIFA-s.

UEFA ka deklaruar se ka humbur besimin te Infantino, ndërsa presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, ka kërkuar dorëheqjen e tij. UEFA ka paralajmëruar edhe mundësinë e bojkotimit të aktiviteteve të FIFA-s.

Megjithatë, Infantino vazhdon të ketë mbështetje jashtë Evropës. Federata Meksikane e Futbollit dhe CONMEBOL kanë dalë në mbështetje të tij, ndërsa edhe CAF, së bashku me 54 federatat e saj anëtare, e mbështet presidentin e FIFA-s.

FIFA thekson se Infantino është zgjedhur në mënyrë demokratike nga 211 federatat anëtare dhe vazhdon të ushtrojë mandatin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një kapitull i ri po hapet për sportin gjakovar. Këtë…