Varroset 18-vjeçari që ra nga kati i katërt në Prizren – numër i madh pjesëmarrësish në varrim
Me dhimbje e pikëllim është përcjellë sot për në banesën e fundit 18-vjeçari Egzon Kabashi nga Prizreni, i cili ndërroi jetë pas disa ditësh trajtim në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra nga rënia nga kati i katërt i një objekti.
Në varrimin e të riut morën pjesë një numër i madh familjarësh, miqsh, të afërmish dhe qytetarësh, të cilët u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Egzonit.
Kabashi kishte pësuar lëndime të rënda më 2 gusht, pasi kishte rënë nga kati i katërt i kompleksit “Fat Group-1”, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.
Pas disa ditësh trajtim, më 8 gusht QKUK-ja e kishte njoftuar Policinë e Kosovës se 18-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Pas vdekjes së tij, rasti është kaluar në procedurë hetimore dhe është cilësuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Ekipi i Mjekësisë Ligjore ishte përfshirë në rast, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë se si ndodhi rënia fatale që i mori jetën të riut.




