Mulosmani: Haradinajn e sulmojnë për Radojçiçin ata që luftën e shihnin në televizor

09 gusht 2026 | 21:23

Analisti nga Tirana, Ermal Mulosmani, ka reaguar lidhur me kritikat ndaj Ramush Haradinajt për takimin e tij me Milan Radojçiçin në vitin 2018.

Mulosmani e cilëson si “kulm të maskarallëkut” që mbështetës të Vetëvendosjes ta sulmojnë Haradinajn për këtë takim, duke rikujtuar të kaluarën e tij gjatë luftës së Kosovës.

Sipas tij, Haradinaj e ka fituar të drejtën që të takohet me këdo, duke theksuar rezistencën e tij gjatë luftës dhe sakrificën e familjes së tij.

“Ramush Haradinaj e ka fitue të drejtën me takue kë të dojë ai me rezistencën heroike, vetëmohuese, kundër serbëve. Serbët i kanë vrarë vëllezër, shokë, miq e familjarë. Edhe ai ka vra sa ka mujtë në ta”, ka shkruar Mulosmani.

Ai ka theksuar se, kur ishte fjala për të luftuar për Kosovën, Haradinaj kishte qëndruar në front, ndërsa, sipas tij, kritikët e sotëm e ndiqnin luftën përmes televizorit.

Mulosmani ka rikujtuar edhe takimin e Haradinajt me Radojçiçin në vitin 2018, duke nënvizuar se takimi ishte bërë publikisht dhe pa u fshehur.

Në fund, analisti ka bërë edhe një deklaratë të fortë, duke thënë se nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej atyre që sot e sulmojnë Haradinajn për takimin me Radojçiçin, gjatë luftës ta ketë spiunuar vetë Haradinajn te ai.

“Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë prej atyre që e shan Haradinajn pse e takon Radojçiçin, në kohën e luftës e spiunonte vetë Ramushin te Radojçiçi”, ka deklaruar Mulosmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me dhimbje e pikëllim është përcjellë sot për në banesën…