Haxhiu pret ambasadorët dhe konsujt e Kosovës: Diplomacia kërkon kohë, besim dhe këmbëngulje
Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sonte ka mirëpritur në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës.
Haxhiu ka thënë se në fjalën e saj i ka falënderuar për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës, punë e cila, sipas saj, shpesh nuk shihet menjëherë dhe kërkon durim e këmbëngulje.
Ajo ka theksuar se, në një kohë kur interesat dhe aleancat ndryshojnë shpejt, diplomacia nuk mund të mbështetet vetëm në reagimin e çastit.
“Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre.”
Haxhiu ka thënë se për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, vendi ende lidhet me luftën, shpalljen e pavarësisë apo me lajmin e fundit që kanë parë.
“Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot.”
Në fund, Haxhiu ka shprehur mirënjohje edhe për familjet e diplomatëve, duke përmendur fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre në një vend të ri e të panjohur sa herë që ndryshon vendi ku shërbejnë.



