Asllani kthehet në “radarin” e Barcelonës
Pavarësisht se transferimi i tij te Leipzigu dështoi, Fisnik Asllani ka gjasa të largohet nga Hoffenheimi gjatë këtij afati kalimtar. Është bërë me dije se Barcelona ka rikthyer interesimin për Asllanin, pasi nuk ka arritur ta bindë Atletico Madridin për shitjen e Julian Alvarezit.
Barcelona kishte shfaqur interesim edhe më herët për Asllanin, por fokusi te transferimi i Alvarezit ka bërë që sulmuesi kosovar të arrinte marrëveshje me Leipzigun, e cila në fund nuk është realizuar.
Kësisoj, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i ka dhënë dritën jeshile transferimit të Asllanit në “Camp Nou”, duke pasur parasysh se skuadrës i nevojitet patjetër një sulmues për sezonin e ri. Kartoni i Asllanit vlerësohet në rreth 30 milionë euro, duke pasur parasysh se ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në verën e vitit 2029. Sezonin e kaluar, Asllani shkëlqeu me fanellën e Hoffenheimit, duke shënuar 11 gola dhe duke dhuruar 10 asistime në 35 paraqitje.



