Haxhiu përkujton betejat dhe dëshmorët e 10 gushtit të vitit 1998

10 gusht 2026 | 17:05
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorët e rënë më 10 gusht 1998 në vise të ndryshme të Kosovës.

Haxhiu ka thënë se në këtë datë UÇK-ja po zhvillonte luftime në dy skaje të vendit, nga Dukagjini deri në Kaçanik.

Në rajonin e Junikut, gjatë përballjeve me forcat serbe, kanë rënë Bekim Berisha-Abeja nga Peja, Bedri Shala nga Drenica, Elton Zherka dhe Përmet Vula nga Gjakova.

“Lufta i kishte bërë shokë dhe si shokë ranë, në të njëjtën ditë e në të njëjtin front”, ka shkruar Haxhiu, duke theksuar se Elton Zherka dhe Përmet Vula ishin vetëm 20-vjeçarë.

Po atë ditë, në fshatin Shaptej të Deçanit, duke mbajtur vijën e pozicioneve, ra Jusuf Kelmendi nga Peja, luftëtar i Batalionit të Parë “Tigri”.

Ndërkohë, në betejën e zhvilluar në fshatin Gabrricë të Kaçanikut, ranë komandanti Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarët e tij Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca.

Haxhiu ka theksuar se për këtë arsye 10 gushti shënohet edhe si Dita e Dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, e cila gjatë luftës dha 95 dëshmorë të lirisë.

“Pesë ushtarë në Junik, një në Shaptej dhe tre në Gabrricë, disa fronte, një ditë dhe një kauzë e vetme. Nga lufta e tyre dhe e mijëra të tjerëve na erdhi liria dhe mbi të u ngrit Republika jonë. Familjeve të tyre u shprehim mirënjohjen tonë më të thellë. Lavdi dëshmorëve të kombit”, ka thënë Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në…