432 bashkatdhetarë vizituan Kuvendin brenda dy ditësh
Ka vazhduar sot aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend”, me pritjen e qindra bashkatdhetarëve në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
432 bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës janë pritur nga deputetë të Kuvendit dhe zyrtarë të administratës, të cilët i kanë shoqëruar ata gjatë vizitës dhe i kanë informuar për punën, funksionimin dhe rolin e institucionit më të lartë përfaqësues të vendit.
Gjatë vizitës, bashkatdhetarët kanë pasur mundësi të njihen nga afër me hapësirat e Kuvendit, përfshirë sallën plenare, si dhe me historikun dhe veprimtarinë e këtij institucioni.
Pjesëmarrësit kanë shprehur interesim të veçantë për punën e Kuvendit dhe zhvillimet institucionale në vend, ndërsa vizita ka shërbyer edhe si mundësi për bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e zgjedhur.
Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend” synon të afrojë mërgatën me institucionet e Republikës së Kosovës, duke u mundësuar bashkatdhetarëve që gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë të vizitojnë Kuvendin dhe të njihen më nga afër me punën e tij.
Aktiviteti vazhdon edhe nesër, nga ora 12:00 – 16:00.
Mediat ndërkaq mund të marrin pamje në fillim të aktivitetit.



