Si e falsifikoi IP Petrol dokumentin e British Petrol per ta fituar nje tender ne vlere mbi 15 milion euro
Berat Buzhala
Veç një email është dashur t’ua dërgojnë autoritetet e Kosovës për të parandaluar një krim në vlerë prej 15 milionë eurosh. Është dashur ta pyesin gjigantin britanik British Petroleum nëse përfaqësuesi i kësaj pompe, Shaip Mikullovci i IP Petrolit, ka marrëveshje me gjigantin britanik për t’i shitur naftë, të cilën më pas këta do t’ia shisnin Kosovës.
Gjatë këtij viti, para disa kohësh, AQP-ja, që është Agjencia Qendrore e Prokurimit, e ka hapur tenderin ku i ka ftuar të interesuarit, si IP Petrol, Petrol Company, HIB Petrol dhe të gjithë ata që merren me derivate të naftës, që të konkurrojnë në tender për furnizimin me karburante të veturave publike.
Një prej kushteve që e ka paraqitur vetë AQP-ja për pjesëmarrësit, përveç të tjerave, ka qenë që kompanitë që garojnë në tender për furnizimin me karburante të veturave publike të kenë marrëveshje edhe me një rafineri apo prodhues.
Pra, IP Petrol dhe HIB Petrol është dashur të kenë marrëveshje me gjigantë si BP, OKTA apo OMV, pra me korporata të mëdha që janë rafineri ose prodhues.
Njëri prej operatorëve i ka pyetur autoritetet shtetërore: “A duhet patjetër të jetë rafineria apo mund të jetë dikush prej personave ose përfaqësuesve të autorizuar të rafinerisë?”
Autoriteti është përgjigjur:
“Nuk aprovohet. Tenderuesit i kërkohet një garancion, autorizim apo konfirmim nga rafineria ku furnizoheni. Nuk pranohet nga çfarëdo distributori që nuk është rafineri.”
Sidoqoftë, as këto sqarime, që janë bërë në rrugë zyrtare dhe me dokumente, nuk i kanë mjaftuar IP Petrolit për ta kuptuar se nuk mund të marrë pjesë në një tender nëse nuk e ka marrëveshjen direkte me njërën prej rafinerive.
Çfarë ka bërë IP Petrol? E ka siguruar një dokument sipas të cilit BP-ja e autorizon Gega Oil në Shqipëri që Gega Oil t’i shesë IP Petrolit në Kosovë.
Kjo, me gjasë, i ka ngritur alarmet te një numër i pjesëmarrësve të tjerë në tender, sepse kanë qenë të bindur se BP-ja, gjiganti britanik, nuk bën marrëveshje të tilla. Me BP-në ose e bën marrëveshjen direkt, ose nuk e bën fare me sekserë, nuk e bën me ndërmjetësues.
Me gjasë, IP Petrol e ka pasur të qartë dhe e ka ditur se çfarë po bënte. Nuk i ka interesuar ligji, nuk i kanë interesuar kushtet e tenderit, të cilat i patë më herët. I ka fituar pesë lote. E ka fituar tenderin në vlerë prej 15 milionë eurosh me këtë dokument, i cili në fund ka rezultuar se është i falsifikuar.
Dokumenti në fund ka rezultuar se nuk është fare i BP-së, sepse personi që e ka nënshkruar, ky Brian Puffer, nuk paska qenë as punëtor i BP-së.
Pra, një skemë pastër kriminale.
“Thank you for your email. We can confirm that we do not recognize the letter referred to in your correspondence and we are taking appropriate steps in response. Kind regards, David Smith, BP.”
I vjen era korrupsion, përveç faktit që dokumenti është i falsifikuar.
Si është e mundur që autoritetet shtetërore nuk ia kanë dërguar këtë email British Petroleum për ta verifikuar një dokument, por duhet që aktorë të tjerë të luftojnë për ta parandaluar krimin dhe korrupsionin në organet më të larta shtetërore?/ marr nga nacionale.com.



