Geci dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit në Prokurorinë Speciale
Një kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe personave të tjerë, nën pretendimin se kanë shkelur Kushtetutën.
Kallëzimin e ka dorëzuar Gani Geci, së bashku me avokatin e tij, Gent Gjini, ndërsa Geci ka paralajmëruar për rritje të tensioneve politike dhe ka kërkuar që institucionet të hetojnë përgjegjësit për shkeljet e pretenduara.
Geci ka thënë se ka dorëzuar kallëzim penal pasi, sipas tij, tensionet do të rriten dhe do të paraqesin rrezik për vendin.
“Ne sot kemi dorëzuar një kallëzim penal kundër, s’po di a t’i them kryeministrit, sepse ai është në detyrë që dy-tre vjet, edhe kundër të gjithë atyre që janë duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Faktikisht, unë edhe në vitin 1998 e kam pasur marrë Kushtetutën e Kaçanikut dhe ia kam pasur dërguar në Likoc atyre, i kam thënë mos e shkelni, se këtë e kemi organin më të lartë shtetëror. Ata e kanë pasur shkelur, por tash i kanë rënë pishman. Kushdo që e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka me i rënë një ditë pishman”, ka thënë ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është e imja, nuk është as e atyre të Kuvendit aty. Është e juaja, e qytetarëve, është e Republikës së Kosovës dhe duhet të mbrohet me të gjitha mjetet. Dhe ata që e mbrojnë Kushtetutën në një cep të Kosovës dhe e shkelin në një cep tjetër, nuk e kanë për detyrë që me e mbrojtur atje e me e shkelur këtu. E kanë për detyrë cep më cep me e mbrojtur Kushtetutën edhe në Kuvend”, ka shtuar Geci.
Ai ka thënë se është i shqetësuar për rritjen e tensioneve politike dhe se ato mund të bëhen të rrezikshme për vendin.
“Unë shoh tensione, prandaj kam ardhur këtu me bërë një kallëzim penal, sepse tensionet do të rriten dhe do të jenë të rrezikshme për vendin në të ardhmen. Sepse një njeri që dëshiron me qenë një farë diktatori, është i rrezikshëm për vendin”, ka deklaruar Geci.
I pyetur për një koalicion të mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së, Geci është shprehur në favor të bashkëpunimit, por ka thënë se, sipas tij, Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë me askënd.
“Ne kemi thënë që jemi për koalicion dhe unë jam për koalicion, sepse koalicionet ndërtohen duke pasur besim, duke pasur një bashkëpunim. Ky njeri s’do bashkëpunim me kërkënd. Ky thotë ‘hajde bëjmë bashkëpunim’, ndërsa në momentin e bashkëpunimit thotë ‘ke me ia bërë si të them unë’”, ka thënë Geci.
“Bashkëpunimet nuk janë bash veç qysh thotë ai, duhet edhe bash si të thonë të tjerët. Unë e di që LDK-ja nuk i ka votat me e bërë presidentin, por LDK-ja e ka dhënë kryeministrin me gjashtë vota atëherë kur ka qenë presidenti Rugova”, ka shtuar ai.
I pyetur se çfarë vendimi pret të marrë Prokuroria, Geci ka thënë se nuk dëshiron të ndërhyjë në çështjet e prokurorisë.
“Ne nuk i përzihemi prokurorisë. Çështjet e prokurorisë, ne kemi bërë kallëzim. Kur është kallëzimi, është me i kallëzuar dikujt diçka që dikush e ka bërë një vepër. Ne kemi kallëzuar, domethënë, e ata që bëjnë, ata duhet t’i hetojnë të gjithë akterët që mund ta kenë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Geci ka shtuar se, sipas tij, në këtë rast është shkelur një nen i Kodit Penal që lidhet me detyrën zyrtare.
“Unë jam i bindur që këtu një nen i Kodit Penal është shkelur dhe ai nen është ‘Detyra zyrtare’. Domethënë, njerëzit i kanë detyrat zyrtare, në qoftë se e zbaton ose për veprime e mosveprime, je përgjegjës”, ka deklaruar Geci.
Ndërkaq, avokati përfaqësues i Gecit, Gent Gjini, ka thënë se kallëzimi penal është bazuar në fakte dhe prova, duke i bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të vendosë masa të përkohshme.
“Unë si avokat i zotëriut Geci, veç të tjerash, ky kallëzim penal në aspektin profesional është i ndërtuar mbi bazën e fakteve dhe provave. Para së gjithash, kemi një vendim të Gjykatës Supreme, e cila ua ndalon deputetëve që në të njëjtën kohë ta ushtrojnë postin e ekzekutivit”, ka thënë Gjini.
Ai ka përmendur edhe vendimin lidhur me një akt të ministrit Hekuran Murati, duke thënë se ai është shfuqizuar dhe shpallur i pavlefshëm.
“Tani bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale, sepse me mandat dhe me ligjin mbi kompetencat e prokurorisë, prokuroria ka të drejtë të vendosë masa të përkohshme”, ka deklaruar Gjini.
Gjini ka thënë se, duke pasur parasysh se çështja është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë akterët politikë.
“Dhe duke e ditur se kjo çështje ka devijuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese i ka vënë disa variante të interpretimit që ne duhet ta pranojmë, sepse është vendim i formës së prerë dhe për të gjithë akterët politikë është vendim i pakontestuar, atëherë nuk është e arsyeshme që edhe një herë çështja të delegohet në Gjykatën Kushtetuese, sepse do të ishte interpretim mbi interpretim”, ka thënë ai.
Gjini ka theksuar se, përveç keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas tij, po keqpërdoret edhe paraja publike.
“Andaj, me këtë kallëzim penal ne kemi shpërfaqur edhe dukurinë e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi në të njëjtën kohë sot deputetët që ushtrojnë postet ministrore dhe marrin vendime, dhe me këtë ata marrin dy paga”, ka thënë Gjini.
Sipas tij, kjo paraqet edhe cenim të ndarjes së pushteteve, pasi Parlamenti dhe Ekzekutivi duhet t’i kenë të ndara kompetencat e tyre.
“Dhe tani kemi vendimin e Gjykatës Supreme që akterët nuk po e respektojnë, dhe ky kallëzim penal besoj që prokuroria do ta trajtojë me seriozitetin më profesional dhe do të vendosë në mënyrë imediate masën e përkohshme, sepse kërkojmë masë të përkohshme që qeveria në detyrë të mos marrë akte administrative, sepse në çdo ditë shkel dispozitat pozitive të vendit”, ka përfunduar Gjini.



