Krasniqi ka një pyetje për lidershipin e LDK-së: Lumir e Vjosa, ku jeni sot?

12 gusht 2026 | 16:53

Ish-deputetja e LDK-së, Rezarta Krasniqi, ka reaguar pas situatës së krijuar sot në Kuvend, ku pati përplasje mes deputetëve të PDK-së e Aleancës dhe atyre të Vetëvendosjes.

Krasniqi i është drejtuar me pyetje kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidentes Vjosa Osmani, duke shprehur pakënaqësi për heshtjen e partisë së saj.

Ajo ka thënë se ndihet “thellësisht e turpëruar” që LDK-ja, sipas saj, po qëndron e heshtur në një situatë të tillë.

“Jam thellësisht e turpëruar që partia ime, partia që skicoi vetë idenë e shtetit të Kosovës, sot rri e heshtur, e pa zë, e pa ide – derisa do të duhej ta ballafaqonte këtë pushtet, që jo veç mes partive politike, por ka mbjellur përçarje mbase të pashërueshme në krejt popullin”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ajo ka ngritur pyetje edhe për përfaqësimin e votuesve të LDK-së.

“Çfarë duhet të mendojë sot votuesi i LDK-së? Kush e përfaqëson atë sot? Ku është zëri i votuesit të LDK-së sot? Në Kuvend jo, në rrugë jo, askund”, ka deklaruar ajo.

Krasniqi ka kritikuar lidershipin e partisë, duke thënë se LDK-ja është larg rolit që, sipas saj, ka pasur në proceset e rëndësishme të shtetndërtimit.

“Si u bë kështu që partia protagoniste e secilit proces të rëndësishëm të shtetit, sot të jetë një parti e strukur e hedhur diku në margjina. E pafalshme, ofenduese është kjo”, ka shkruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka mobilizuar 2 milionë euro ndihmë për komunitetet…