Çitaku: Kuvendi është efektivisht i mbyllur, deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit

12 gusht 2026 | 17:08

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se refuzimi i thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit përbën, sipas saj, një “model të sjelljes politike” dhe jo thjesht një incident procedural.

Çitaku ka thënë se PDK-ja kishte kërkuar zyrtarisht që më 12 gusht të thirrej vazhdimi i seancës, me qëllim rikthimin e procesit të konstituimit në kornizën kushtetuese dhe ligjore.

“Zoti Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit. Dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij”, ka thënë ajo.

Sipas Çitakut, procesi është përballur me disa shkelje të afateve dhe procedurave, duke përfshirë tejkalimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe, sipas saj, mosrespektimin e detyrimit procedural për vazhdimin e seancës.

“Pra, nuk kemi të bëjmë me një incident procedural. Kemi një model të sjelljes politike. Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka pretenduar se bllokimi i procesit po pamundëson ushtrimin e mandatit të deputetëve.

“Kuvendi është efektivisht i mbyllur. Deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre. Këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Mandatet na i ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Çitaku ka akuzuar Kurtin se, përmes bllokimit të konstituimit, po pengon funksionimin e institucioneve.

“Përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit, Albin Kurti praktikisht po na e pamundëson ushtrimin e mandatit që na e kanë dhënë qytetarët. Kjo nuk është vetëm suspendim i Kuvendit, kjo është suspendim i demokracisë”, është shprehur ajo.

Në fund, Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit që të mundësojë konstituimin e Kuvendit, ndërsa ka paralajmëruar se PDK-ja do të kërkojë sërish thirrjen e seancës pas 48 orësh.

“Ne nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në. Po kërkojmë funksionalizimin e shtetit”, ka deklaruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhur me aktualitetin politik, kryetari i Drenasit ,Ramiz Lladrovci ka…