Prokuroria ngre aktakuzë ndaj pesë personave për zjarrin në “Gate Club”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për zjarrin në “Gate Club”.
Sipas njoftimit të prokurorisë, personat me inicialet Sh.T. dhe F.S. dyshohen për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa tre të tjerë për veprën penale “Shtytje nga zjarrvënia”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas zhvillimeve hetimore, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve SH.T. dhe F.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale ‘Zjarrvënia’, nga neni 322, paragrafi 3, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndaj të pandehurve B.H., I.M. dhe RR.A., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale ‘Shtytje nga zjarrvënia’, nga neni 322, paragrafi 3, lidhur me nenin 32 të KPRK-së, si dhe ndaj të pandehurit F.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare’, nga neni 386, paragrafi 1, lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, është thënë në njoftim.
Sipas aktakuzës, zjarri i është vënë diskotekës rreth orës 04:53 dhe dëmi material është në vlerë prej 969.435 euro.
“Sipas aktakuzës, më datë 14.02.2025, rreth orës 04:53, në rrugën ‘Epiri’, në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë, në objektin e diskotekës ‘Gate Club’, të pandehurit SH.T. dhe F.S., në bashkëkryerje dhe me dashje, pas shtyrjes nga i pandehuri RR.A. dhe në këmbim të shpërblimit prej 3.000 eurosh, i kanë vënë zjarrin objektit të diskotekës ‘Gate Club’ dhe, si pasojë e këtij veprimi, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material në vlerë prej 969.435 euro”, është thënë tutje në njoftimin e prokurorisë.
Sipas aktakuzës, qëllimi i këtij veprimi ka qenë hakmarrja, pasi të pandehurit konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të të dëmtuarit S.S.
Personat e shtyrë, sipas Prokurorisë, e kanë realizuar veprimin e paralajmëruar duke i vënë zjarrin automjetit “Range Rover” të të dëmtuarit S.S., me ç’rast është shkaktuar dëm material në vlerë prej 54.892,72 eurosh.
Lidhur me rastin, prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, t’i shpallë fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe t’i dënojë sipas legjislacionit në fuqi.



