ALBIN KURTI DHE “DOSJA THAÇI”: A PO LUAN POLITIKËN E SOTME DUKE MENDUAR PËR TË NESËRMEN?
Shkruan: Behram Behluli
Ka një mënyrë tjetër për t’i lexuar zhvillimet politike në Kosovë: jo duke parë vetëm përplasjen e Kurtit me opozitën e sotme, por duke parë se si çdo lëvizje mund të lidhet me një faktor shumë më të madh — Hashim Thaçin dhe të ardhmen e tij politike e juridike. Nëse e lexojmë situatën nga kjo perspektivë, atëherë edhe zvarritja e konstituimit të Kuvendit, përplasjet rreth vendimeve kushtetuese dhe debati për afatet marrin një kuptim tjetër. Deklarata se ekziston kohë deri më 6 shtator nuk është thjesht një çështje teknike. Mund të jetë edhe një mjet presioni politik: kush do të dorëzohet i pari dhe kush do ta bëjë kompromisin për Presidentin? Sepse Presidenti i ardhshëm nuk është vetëm një emër. Për Albin Kurtin, një President që nuk i krijon pengesa mund të jetë garanci për një mandat më të qetë. Ndërsa një President i papërshtatshëm mund ta ndryshojë krejt balancën e pushtetit.
Dhe këtu hyn në skenë Thaçi. Nëse Hashim Thaçi kthehet në Kosovë, edhe pa qenë pjesë e politikës aktive, vetëm prezenca e tij politike mund ta ndryshojë ekuacionin. Nëse nuk kthehet, Kurtit mund t’i krijohen hapësira të tjera politike: zgjedhje të reja, koalicione të reja dhe, pse jo, edhe një arsyetim i ri për bashkëpunim me PDK-në apo LDK-në.
Mund te dëgjojmë nesër edhe një arsyetim tipik të Albinit: Kjo nuk është më PDK-ja e dikurshme, me këtë PDK mund të bashkëpunojmë. Prandaj, pyetja kryesore nuk është vetëm: Çfarë po bën Kurti ndaj opozitës? Pyetja më e madhe është: Çfarë po përgatit Kurti për skenarin në të cilin Hashim Thaçi kthehet në Kosovë? Sepse nëse vendimi për Thaçin është politikisht i favorshëm për të, mund të ndryshojë edhe terrenin ku Kurti ndërton pushtetin. Nëse vendimi është i pafavorshëm për Thaçin, Kurtit mund t’i hapen rrugë të tjera për ta konsoliduar pushtetin. Në këtë këndvështrim, fati politik i Thaçit dhe fati politik i Kurtit mund të jenë më të lidhur sesa duket në sipërfaqe.
Por një gjë duhet të jetë e qartë: as Kurti, as Thaçi dhe asnjë parti politike nuk duhet ta trajtojë shtetin si tabelë shahu për interesat personale. Kosova nuk është pronë e askujt. Dhe Presidenti nuk duhet të zgjidhet për t’i siguruar rehati një kryeministri, por për t’i shërbyer Republikës. Në fund, nuk vendos as Kurti dhe as Thaçi. Vendos Kushtetuta, institucionet dhe qytetarët. Dhe qytetarët duhet ta kuptojnë një gjë: Kur politika fillon të mendojë më shumë për pushtetin e nesërm sesa për interesin e shtetit, atëherë demokracia fillon të paguajë çmimin.



