Dogana zbulon flokë natyralë të deklaruar si sintetikë, shmangen mbi 4 mijë euro detyrime
Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallit gjatë kontrollit të një mauneje, e cila ishte deklaruar se transportonte flokë sintetikë.
Sipas Doganës, maunia ishte përzgjedhur për kontroll dokumentar dhe fizik në bazë të kritereve të riskut. Gjatë kontrollit fizik, zyrtarët doganorë kanë vërejtur mospërputhje të mundshme ndërmjet mallit të deklaruar dhe karakteristikave të tij.
Për të verifikuar përbërjen e mallit, janë kryer analiza laboratorike, rezultatet e të cilave kanë konfirmuar, përmes analizave kimike të tretshmërisë, praninë e fibrave natyrale.
Ndërkaq, analizat kualitative spektrale FT-IR kanë konfirmuar se mostrat e testuara janë material keratinoz/proteinik, përkatësisht flokë natyralë.
Si rezultat i këtyre konstatimeve, ndaj subjektit është evidentuar kundërvajtje doganore për deklarim të pasaktë të llojit të mallit.
Dogana ka bërë me dije se, si pasojë e deklarimit të pasaktë, ishte shmangur pagesa e detyrimeve doganore në vlerë prej rreth 4 310 euro. “Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë kontrolle të bazuara në kriteret e riskut dhe verifikime dokumentare, fizike dhe laboratorike, me qëllim sigurimin e deklarimit të saktë të mallrave dhe mbrojtjen e të hyrave të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftim.



