Shtyrja e aktgjykimeve: mungesa e “provave” serbe!
Shkruan: Hasan Mujaj
Në një vepër timen për zhvillimet politike në Republikën e Kosovës, me veçimin semiotik e grafostilistik, vura në theksim të veçantë se kur mungojnë faktet, improvizuesit e përbetuar të politikës antishqiptare, siç janë shumë politikanë serbë, përdorin dërdëllitjet ( gjepurat, thashethemet ). Kjo hipokrizi po trupëzohet edhe nga Gjykata (politike) e Kosovës në Hagë.
Është për çdo kritikë e dhëna se si, deri më tash, kanë heshtur, me ndonjë përjashtim, institucionet më të larta dhe kompetente të Kosovës si p. sh.: Ministria e Drejtësisë, sidomos Kuvendi i Kosovës si themelues i kësaj Gjykate etj. që nuk e kanë vëzhguar në vijimësi sesa po përfillen ligjshmëria dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Në tekstet zyrtare të Gjykatës së atjeshme, edhe për të dënuarit e deritashëm si p. sh.: komandanti Pjetër Shala, përpara tij komandanti Salih Mustafa, i njohur me nofkën “Cali” etj. në administratën e kësaj Gjykate të Kosovës në Hagë, që nga fillimi i veprimtarisë së saj, UÇK-ja quhet me emërtimin: “organizatë kriminale e terroriste, “emërtim ky i dalë nga politika e Beogradit zyrtar. Kjo terminologji, e përcjellë në Hagë nga tekstet e prokurorëve serbë që të shërbejë si “dëshmi “ kinse forcat e armatosura serbe, po e ndiqnin dhe po e luftonin “ organizatën terroriste dhe kriminale “ siç e quante politika serbe UÇK-në. Pra, vihet re se cilat janë “provat materiale “ të politikës serbe: trillimet fiktive, të montuara dhe jashtë çdo realiteti.
Zatën, prokurorët serbë kanë pranuar publikisht se në Gjykatën e Kosovës në Hagë kanë dërguar me mijëra faqe shkrimesh për “ krimet e organizatës terroriste të UÇK-së.“
Veprime kundërvënëse të Gjykatës në Hagë
Edhe kjo ndodh në këtë Gjykatë. E pabesueshme, por e vërtetë. Saktësisht më 29 maj 2025, pasi Gjykata politike ka parë se është në deficit faktesh për dënimin e ish- krerëve të UÇK-së, paneli i atjeshëm gjyqësor vendosi t’i pranojë disa “prova materiale” të shkruara, të reja nga bashkërenduesit e autorizuar të politikës serbe. Këtë informatë, për opinionin e gjerë, e dha zëdhënësja e Gjykatës Speciale- Angela Griep për REL-in si “ prova materiale “; si dokumente të rëndësishme sipas panelit gjyqësor. Në pyetjen retorike: për ç’arsye, ç’rëndësi kanë ? Paneli gjyqësor: – për arsye se kanë: ”datë, vulë, tituj, numër protokolli etj. dhe janë të nënshkruara. “ Këto janë “dëshmi të sigurta”; me përbërës autentikë; janë fakte persuasive, gjithnjë sipas panelit gjyqësor.” Ironi e paparë ! Si mund të pranohen si “ prova materiale madje të rëndësishme,” si deiktikë të besueshëm nga ata që urdhëruan krime e masakra edhe ndaj popullatës së paarmatosur shqiptare në të cilën kishte edhe fëmijë, femra, pleq, të sëmurë etj.
Ka dëshmi, “ prova materiale “ të politikës serbe, që janë bërë publike edhe në këtë Gjykatë; si shenjë konkretizimi p. sh.: ndryshimi i përmbajtjes së deklaratës të një dëshmitareje serbe e dhënë në Beograd përpara prokurorit serb në të cilën kishte dhënë vlerësim shumë të lartë pozitiv dhe etik për mirësjelljen e UÇK-së ndaj popullatës civile serbe në terren. Por, dëshmitarja korrekte serbe, pasi dëgjoi përmbajtjen e deklaratës nga prokurori në Gjykatën e Kosovës në Hagë, e befasuar, reagoi dhe shtoi: “ Kjo nuk është deklarata ime e dhënë në Beograd ! Deklarata ime është ndryshuar, është riformuluar nga prokurorët serbë sipas diktatit të shtetarëve të lartë të politikës serbe me qëllim që UÇK-ja, në përgjithësi dhe ish- krerët e saj në veçanti, të dënohen për krimet ndaj popullatës civile serbe dhe të klasifikohen si “ organizatë terroriste.“ Në fund, dëshmitarja serbe tha: “ Këto nuk janë fjalët e mia.”
Në këtë kontekst vlen cituar vargjet e poetit apodiktik- Ndre Mjeda, referuar gënjeshtarëve në përgjithësi dhe, në këtë shkrim, posaçërisht Gjykatës Politike të Kosovës në Hagë dhe prokurorëve të atjeshëm që i ndryshojnë shkrimet e dëshmitarëve për t’ia përshtatur politikës serbe, por falsifikimi nuk vonoi dhe doli në dritë:
“ S’ vonon dita gja s’e ndalë, rrena n’fushë ka me dalë.“
Aksiomë. Falsifikimi i tekstit të dëshmitares serbe, nga prokurorët serbë, u bë publik nga dëshmitarja: ajo ndërhyri dhe mbrojti stilin e vet etik dhe bindës. Ajo nuk lejoi shpërdorimin e dëshmisë burimore nga prokurorët e paguar nga politika e A. Vuçiqit, të cilët mendimin e saj e kishin ndryshuar dhe rindërtuar sipas stilit të politikës serbe: me përplot kritika të sajuara kinse UÇK-ja është marrë me veprimtaritë kriminale. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: a ka institucion të drejtësisë, të cilit mund t’i besohet, veçanërisht në rastet ku ndërhyn politika serbe për luftën në Kosovë, e cila përpiqet për t’i heshtur dhe për të mos i pranuar masakrat ndaj popullatës shqiptare që nuk ishte pjesë e luftës! Për krimet e këtilla kanë shprehur kritika dhe reagime edhe shumë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë që gjatë luftës pushtuese ishin vëzhgues në Kosovë.
Gjykata heshti (miratoi) falsifikimin e deklaratës!
Është brengosës fakti, sidomos miratimi në heshtje nga Gjykata e Kosovës në Hagë i “ provave materiale” të marra nga Beogradi zyrtar. Shembull konkret: pranimi i dëshmisë së falsifikuar nga prokurorët serbë, të cilin falsifikim e bëri të ditur dëshmitarja e ndërgjegjshme serbe. Gjykata miratoi diçka inekzistente; sa imagjinare aq edhe karagjoze.
Kështu e ndaka të drejtën Gjykata Speciale në Hagë ! Për këtë tentim mashtrimi Gjykata do të duhej të hapë proces hetues: të marrë masa ndëshkuese për veprën penale të autorit të falsifikimit të dokumentit të shkruar dhe masa shpërblyese për dëshmitaren që e zbuloi falsifikimin dhe e tha të vërtetën: ndryshim i tërësishëm i përmbajtjes së deklaratës që dëshmitarja e kishte dhënë në Beograd.
Dhe jo vetëm kaq. Në Gjykatën speciale, sipas veprimtarisë së deritashme pragmatike, termi “ speciale “ nuk i përgjigjet semantikisht emrit që i referohet: ( gjykatës ), ngase ajo ka kaluar në gjykatë politike serbe, nga ajo që furnizohet me “provat materiale bindëse,” siç u pa edhe nga dëshmitarja serbe, e cila, edhe trupin gjyqësor e zuri në pranimin e falsifikimit! Prandaj, përcaktori “ politike “ është adekuat për emërtimin e kësaj Gjykate. Sepse, pjesën dërrmuese të “provave materiale,” i merr nga burimet antishqiptare serbe.
Përveç dëshmitares serbe, vazhdojnë kritikat ndesh kësaj Gjykate edhe nga Avokati i Popullit në Kosovë- Naim Qela, i cili e ka vizituar disa herë Gjykatën e Kosovës në Hagë. Ai ( Avokati i Popullit) ka gjetur shkeljen e të drejtave të njeriut: të paraburgosurve të ish- krerëve të UÇK-së. Për këto shkelje ka bërë vërejtje në formë të shkruar, por nuk ka marrë përgjigje, do të thotë është injoruar, shton Qelaj. Me stilin e shprehjeve retorike: a është e mundshme që kjo Gjykatë kaq e rëndësishme jo vetëm për ish- prijësit UÇK-së, por edhe më shumë për shtetin e Kosovës, të mos ketë vrojtim permanent nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme, sidomos juridike.
Gabim i madh i themeluesit!? – Ose: a ka logjikë ( kuptim ) që kjo Gjykatë të ketë bashkërendim me agresorin pushtues e krimbërës serb ndaj shqiptarëve që synonte ta trupëzonte etnocidin: d.m.th. Kosovën pa shqiptarë, por jo edhe me institucionet e shtetit viktimë: me Republikën e Kosovës, me Kuvendin e Kosovës si themelues të kësaj Gjykate dhe me përfaqësuesit e NATO-s ?- Sigurisht se nuk ka logjikë madje të mendohet e jo më të ekzekutohet.
Vëzhguar nga kjo dritë, do përmendur një vizitë: vizita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës- Glauk Konjufca që ia bëri kësaj Gjykate në Hagë pas së cilës paraqiti një reagim publik ku, ndër të tjera, me të drejtë, spikati posaçërisht që ajo: (Gjykata e Kosovës në Hagë) “duhet të ketë monitorium nga themeluesi.” Me shumë të drejtë. Edhe avokati Naim Qelaj e ka njoftuar opinionin se për mosrespektimin e të drejtave të të paraburgosurve të ish- prijësve të UÇK- së i ka shkruar ankesë edhe kryetares së Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje!
Ai (Qelaj) bëri të ditur se për shkeljen e të drejtave të themeluesve të UÇK-së u ka shkruar edhe organizatave relevante ndërkombëtare si p. sh.: “ Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, një organizatë shumë prestigjioze ndërkombëtare.”
Organizata angleze u ka dërguar një raport: gjyqësorit dhe prokurorëve të atjeshëm, njofton avokai Qelaj: “ mbi bazën e kërkesës sime, e cila ka legjitimuar shqetësimet që unë i kisha ngritur, por edhe përtej saj ka paraqitur edhe shqetësime të tjera.”
Nuk është shumë vështirë të kuptohet: përse e tërë kjo veprimtari mbeti enigmë !? Dihet. Do të dihet publikisht në kohën e ardhme. E dinë edhe ata që e kuptojnë të pashprehurën, por të menduarën.
Avokati i Popullit, në krye të detyrës, me përkushtim të veçantë rreth kësaj çështjeje, theksoi: “… kemi mbajtur një takim në Hagë me përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve të akredituara në Holandë me i njoftua me raportin. E kemi ftuar edhe Gjykatën. Gjykata nuk ka marrë pjesë, nuk ka kthyer përgjigje, në fakt na ka injoruar me kërkesat tona…” Vendet që kanë marrë pjesë në këtë takim janë informuar për shqetësimet e paraqitura.
“ Raporti, që është hartuar nga autorët anglezë, vë në pah dy rekomandime shumë me rëndësi për institucionet e Republikës së Kosovës: Kosova duhet me marrë përgjegjësinë që me kriju mekanizma të monitorimit të kësaj Gjykate për mos me e lejuar në asnjë rast me u cenu të drejtat e njeriut.”
Trupi gjykues kishte afat deri më 19 maj 2026 për të shpallur vendimin e aktgjykimit; pastaj e shtyri këtë afat deri më 20 korrik 2026, për ta ndryshuar sërish ditën e paraqitjes së aktgjykimit: më 16 shtator 2026, në orën 10. Nuk dihet përse kanë ndodhur këto ndryshime datash. Gjyqi ka përfunduar në muajin shkurt. Gjykata nuk ka dhënë ndonjë arsye! Avokati N. Qelaj shkroi: “ Gjykata Speciale na injoroi me tendenca shpërfillëse …” Ai, me të drejtë, shkroi kritikë të arsyeshme për Kuvendin e Kosovës jo vetëm që nuk kërkoi përgjegjësi zyrtare nga Gjykata themelues i së cilës është, por Kuvendi nuk bëri as reagimin më të vogël për padrejtësitë që u janë bërë të paraburgosurve në Gjykatën e Hagës.
Mirëpo, të mos i vijë habi avokatit Qelaj, ngase diç e këtillë: një injorim, duket të jetë i diktuar nga dikush me ndikim absolut: diçka analoge me veprimet e diktaturës të politikës komuniste, i ndodhi edhe ish- kryetarit të Kuvendit të Kosovës asokohe- Glauk Konjufca; pasoi heshtja e tij dhe mbeti në errësirë pas kthimit nga vizita që i bëri Gjykatës së Kosovës në Hagë.
Papërgjegjësia e Kuvendit të Kosovës kishte rënë në heshtje përkitazi me këtë temë të rëndësishme politike për Kosovën. Në realitet kryetari i Kuvendit të Kosovës, G. Konjufca paraqiti një njoftim me të cilin bëri të ditur se kishte vënë re shkelje të të drejtave të paraburgosurve shqiptarë në këtë Gjykatë, prandaj kërkoi që ajo ( Gjykata ) të ketë mbikëqyrje juridike, por ai “dikushi”, e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë dhe nuk e shpuri më tej përpara.
Ish-diplomati prominent amerikan në cilësinë e dëshmitarit J. Rubin, i cili, si njohës aktiv i ecurive praktike e teorike në terren gjatë luftës në Kosovë, ndër të tjera, tha: “ Këtu nuk paska drejtësi.” Konstatim i mbështetur në fakte, më se i vërtetë.
“Akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë të pabaza dhe absurde” (J. Rubin)
Dëshmitari amerikan në Gjykatën e Hagës J. Rubin, ndihmëssekretar i shtetit dhe njohës me diapazon të gjerë i ecurive politike në Kosovë, bëri një pasqyrim të qartë dhe faktik. Ai vuri në dukje se “ akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë të pabaza dhe absurde. Kjo nuk është drejtësi. Procesin e Gjykatës Speciale dhe akuzat kundër Thaçit i quaj si të tmerrshme dhe të rreme.” Dëshmitari Rubin vazhdoi me paraqitjen e krimeve të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe shtoi me të dhëna burimore: “ ushtria serbe ka kryer 95 % të vrasjeve masive dhe, ta barazosh atë me këtë që bënë shqiptarët e Kosovës, është absurde dhe për të ardhur keq.”
I befasuar dhe i yshtur ( i bindur ) me padrejtësinë që po u bëhet ish- krerëve të UÇK-së në Hagë, tha: “ E padrejtë mbajtja pesë vjet në paraburgim.”
Një zbërthim i tekstit nga aspekti semantik dhe i shkencave të tjera të komunikimit i dëshmisë së J. Rubinit në Gjykatën e Kosovës në Hagë, sjell të dhëna faktike nga të cilat vihen në dyshim përmbajtjet e akuzave të prokurorëve të Gjykatës ndaj prijësve të UÇK-së, se janë sajesa farsë sipas porosisë së politikës serbe. Si të këtilla, dalin kuptimisht shterpë ose, siç i quan diplomati elitar amerikan me kapital të pasur kognitiv nga sfera për të cilën dëshmoi, janë “ të pabaza dhe absurde.”
Prandaj, duke qenë i pajisur me tregues të zhvillimit të luftës në terren, i përkushtuar për ta pasqyruar realitetin e disa veprimeve të deritashme të Gjykatës Speciale (sipas meje Gjykatë politike), dëshmitari Rubin i referohet kësaj Gjykate edhe me fjalinë: “ Kjo nuk është drejtësi.” E vërtetë e padiskutueshme.
Siç e ka thënë edhe ambasadori i Holandës në Kosovë- Robert Bosh, Gjykata e Kosovës në Hagë u krijua nga qëllimi pushtues i kryetarit të atëhershëm të Serbisë, Slobodan Milosheviq, i cili, me politikën e tij gënjeshtër, bëri trillimin e Shtëpisë së Verdhë kinse në të cilën UÇK-ja ishte marrë me trafikimin e organeve njerëzore! Qesëndi!
Avokati i Popullit N. Qelaj është shumë i merituar për vizitat që u ka bërë të paraburgosurve në Gjykatën e Kosovës në Hagë në nivelin e përgjegjësisë së lartë zyrtare. Ai ka bërë edhe ndërhyrje bashkërenduese në relacionet ndërkombëtare me shoqatat angleze për të drejtat e njeriut, por, siç ka kërkuar edhe avokati Qelaj, është për t’u kritikuar qëndrimi pasiv i institucioneve shtetërore, sidomos i Kuvendit të Kosovës që nuk ka bërë vëzhgim në vijimësi të veprimtarisë së kësaj Gjykate.
Për ç’arsye u themelua kjo Gjykatë?
Themelimin e kësaj Gjykate e kërkoi dhe e nxiti politika serbe në bashkërendim me faktorët me ndikim ndërkombëtar siç ishte Dick Marty: anëtar i Këshillit të Evropës, i cili kishte bërë shumë akuza e kritika kundër UÇK-së dhe shpiku vendin me emërtimin: Shtëpia e Verdhë, afër kufirit me Kosovën, në territorin e Shqipërisë, me gënjeshtrën: kinse në këtë vend është bërë trafikimi i organeve njerëzore nga pjesëtarët e UÇK-së. Në këtë “valle pa muzikë” kishte hyrë edhe kryeprokurorja e Gjykatës në Hagë- Carla Del Ponte, e cila, në librin e vet me titullin “Gjuetia “ kishte shkruar kritika shterpë ( pa kuptim ) të stilit serb për UÇK-në.
“Shtëpia e Verdhë” ishte sajesë e politikës antishqiptare serbe. Sipas hulumtimit të komisionit ndërkombëtar, nuk ka ekzistuar “Shtëpia e Verdhë.” Atëherë shtrohet pyetja: për ç’arsye u formua Gjykata në Hagë ? E drejta e thotë: pasi ky trillim, ky lloj subversimi i politikës serbe u verifikua, Kuvendi i Kosovës është dashur ta shpallë të pavlefshme këtë Gjykatë.
Prandaj, ishte shumë komike dhe holistikisht apolitike të themelohet Gjykata ndërkombëtare për viktimat ( shqiptarët ) dhe jo për autorët e masakrave, të krimeve të ushtrisë, të njësive paramilitare dhe të policisë serbe ndaj popullatës shqiptare.
Në filozofinë politike thuhet se nuk mund të tumiret një konstatim, veçanërisht politik, pa u bërë hulumtimi i tij madje jo vetëm një hulumtim, por edhe hulumtim i hulumtimit, pra hulumtim dyjar (në literaturën gjermane shkruan: “Untersuchung von Untersuchung”). E vërtetë e pakontestueshme. Mund të shtrohet pyetja: pse nuk u veprua kështu edhe ndaj raportit të improvizuar të D. Martit, por u pranua pa asnjë hulumtim, andaj doli gënjeshtër e propagandës politike serbe. Akuzat e D. Martit u hetuan nga prokurori amerikan Clint Williamson, i cili nuk kishte gjetur asnjë fakt të trafikimit të organeve njerëzore, madje as Shtëpinë e Verdhë!
Shihet qartazi se nuk është gjetur asnjë rast kriminal që të jetë ushtruar ndaj popullatës civile serbe nga UÇK-ja edhe në kërkimet kur tema, shprehur me stilin metaforik, është kapur në zbërthim nga rrënja (d.m.th. nga realiteti) dhe jo nga pipthi.
Mendim të këtillë për Shtëpinë e Verdhë: se nuk kishte ekzistuar, as gjurmë të trafikimit të organeve njerëzore, kishte shprehur edhe komandanti i KFOR-it, në Kosovë, gjenerali gjerman Erhard Buhler.
Gjykata e Kosovës në Hagë provoi ta arsyetojë vonesën gati
gjashtëvjeçare të shpalljes së aktgjykimit. Ajo, pas shumë reagimesh, sidomos nga faktori ndërkombëtar me jehonë e ndikim të posaçëm, veçanërisht nga politika amerikane dhe e Mbretërisë së Bashkuar etj., nuk arriti të yshtë ( të bindë ) opinionin e interesuar madje jo vetëm shqiptarët, por as ata të huaj, të cilët u deklaruan publikisht se “ këtu nuk paska drejtësi.
Edhe sipas hulumtimit të komisionit ndërkombëtar nergut për të hetuar ekzistencën e Shtëpisë së Verdhë, askund nuk janë gjetur gjurmë të saj. Ekzistencën e kësaj shtëpie në të cilën UÇK-ja ka kryer trafikim organesh në territorin e Shqipërisë, e ka kundërshtuar edhe hetuesia e Shqipërisë.
Prof. universitar amerikan Daniel Server, bëri disa kritika për Gjykatën e Kosovës në Hagë dhe, ndër të tjera, tha: “Gjykata e Hagës shpenzoi miliona euro, nuk arriti të ofrojë drejtësi.” (Nacionale, 3 gusht 2026 ).
Në raportin e ekspertëve britanikë, për këtë Gjykatë,” kanë evidentuar një numër të madh shkeljesh e problemesh në punën e Gjykatës Speciale.”
Kritika të mëdha janë bërë edhe për gjyqtarët në raportin britanik: “ të gjithë janë ndërkombëtarë; nuk janë njohës të realitetit në Kosovë, as të zhvillimit të luftës në Kosovë.” (Aty)



