Përmbaruesi bllokon llogaritë e NPB-së, ndërmarrja ngre alarmin për pasoja të rënda

14 gusht 2026 | 01:33

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) SH.A. ka njoftuar se llogaritë bankare të saj janë bllokuar në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me kontestin gjyqësor për projektin në Lakrishtë, duke paralajmëruar pasoja serioze për funksionimin e ndërmarrjes dhe interesin publik.

Përmes një komunikate për media, NPB bën të ditur se kontesti buron nga një kontratë e lidhur më 17 maj 2021 nga administrata e kaluar, të cilën e cilëson si të dëmshme për interesin publik.

Sipas NPB-së, më 24 qershor 2026 është ushtruar revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kundërshtuar vendimet e deritanishme gjyqësore dhe duke ngritur çështje që lidhen me shkelje procedurale, zbatimin e gabuar të ligjit, përgjegjësinë e ndërmarrjes dhe llogaritjen e mbi 32 milionë eurove si fitim i humbur.

Ndërmarrja shpreh bindjen se argumentet juridike dhe faktike të paraqitura në revizion do të rezultojnë me një vendim në favor të saj dhe të mbrojtjes së interesit publik.

Megjithatë, NPB thekson se vetëm një ditë pas ushtrimit të revizionit është lëshuar urdhri përmbarimor, ndërsa procedura ka vijuar me ritëm të përshpejtuar deri te bllokimi i llogarive bankare. Sipas ndërmarrjes, bazuar në informacionet që posedon, revizioni ende nuk është përcjellë nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Supreme.

Në komunikatë shtrohet edhe pyetja se pse procedura e përmbarimit po zhvillohet me shpejtësi, ndërkohë që revizioni, i cili synon kontrollin e ligjshmërisë së vendimit, ende nuk ka mbërritur në instancën më të lartë gjyqësore.

NPB paralajmëron se bllokimi i llogarive nuk prek vetëm financat e ndërmarrjes, por rrezikon drejtpërdrejt pagat e mbi 300 punëtorëve, funksionimin e ndërmarrjes si pasuri publike, Komunën e Prishtinës si aksionare dhe shërbimet që u ofrohen qytetarëve.

Ndërmarrja thekson se do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion, ndërsa kërkon transparencë të plotë dhe trajtim urgjent të rastit nga institucionet kompetente.

Po ashtu, NPB i bën thirrje Gjykatës Supreme që të veprojë sa më shpejt në mbrojtje të interesit publik, duke paralajmëruar se në të kundërt pasojat për ndërmarrjen mund të jenë të paparashikueshme.

Në fund, ndërmarrja fton mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet relevante që ta monitorojnë rastin dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e pasurisë publike nga, siç thuhet në komunikatë, përfitimet shumë milionëshe të kompanive private.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mirëdita dhe falënderimet e mia të sinqerta për organizatorët për…