ShBA dhe BE-ja ‘përplasen’ për ndikimin në Ballkan, Kosova mbetet në qendër të zhvillimeve

14 gusht 2026 | 11:30

Konsensusi perëndimor për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor po zbehet, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) po ndjekin qasje gjithnjë e më të ndryshme për sigurinë, ekonominë dhe ndikimin politik në rajon.

Sipas një analize të publikuar nga “Deutsche Welle”, kjo përplasje po shfaqet në mënyrë të veçantë në Bosnjë-Hercegovinë, por mund të ketë pasoja edhe për Kosovën dhe Serbinë, veçanërisht në çështjet që lidhen me kufijtë, sigurinë dhe zhvillimet ekonomike.

Për vite me radhë, ShBA-ja dhe BE-ja kanë bashkëpunuar në mbështetje të integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Megjithatë, qasja e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump po shihet si më e orientuar drejt interesave të sigurisë dhe ekonomisë, ndërsa BE-ja vazhdon të theksojë sundimin e ligjit, reformat dhe perspektivën e anëtarësimit.

Ballkani Perëndimor përfshin Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. BE-ja vazhdon të deklarojë se këto vende kanë perspektivë për anëtarësim, por procesi është ngadalësuar për shkak të reformave të papërfunduara dhe mosmarrëveshjeve politike në rajon.

Përplasja ShBA-BE në Bosnjë-Hercegovinë

Një nga pikat kryesore të dallimeve mes Uashingtonit dhe Brukselit është roli i përfaqësuesit të lartë në Bosnjë-Hercegovinë, një institucion i krijuar pas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.

Administrata Trump synon kufizimin e kompetencave të përfaqësuesit të lartë, ndërsa BE-ja vazhdon ta konsiderojë të rëndësishëm rolin e tij për ruajtjen e stabilitetit politik në vend. Sipas ekspertit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, qëndrimi amerikan është i arsyeshëm, pasi, 30 vjet pas përfundimit të luftës, është e vështirë të arsyetohet ekzistenca e një zyrtari ndërkombëtar me kompetenca kaq të mëdha në një shtet sovran.

Çështja është bërë edhe pjesë e përplasjeve gjeopolitike në rajon. Rusia dhe lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, kanë kundërshtuar rolin e Përfaqësuesit të Lartë.

Dodiku ka promovuar në vazhdimësi idenë e shkëputjes së Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina dhe bashkimit të saj me Serbinë.

Sipas analizës, ndryshimi i qasjes amerikane ndaj Dodikut ka shkaktuar shqetësim në BE, pasi ekziston frika se një qasje më tolerante ndaj kërkesave për ndryshim kufijsh mund të krijojë precedent edhe për aktorë të tjerë në rajon.

Kosova dhe rreziku i ndryshimit të kufijve

Eksperti Marko Prelec ka paralajmëruar se mënyra se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë mund të ndikojë edhe në Ballkan. Nëse fuqitë perëndimore do të pranonin ndryshime territoriale të realizuara me forcë, sipas tij, aktorë në rajon mund të kërkonin trajtim të ngjashëm. Në këtë skenar, Serbia mund ta përdorte si argument çështjen e Kosovës, ndërsa serbët e Bosnjë-Hercegovinës mund të kërkonin shkëputjen nga shteti boshnjak.

Kjo e bën Kosovën një nga çështjet që mund të ndikohet nga ndryshimi i balancave në marrëdhëniet ShBA-BE dhe nga qasja e re amerikane ndaj Ballkanit.

Ekonomia dhe energjia në qendër të interesit amerikan

Përveç sigurisë, ShBA-ja po e vendos ekonominë dhe energjinë në qendër të politikës së saj në Ballkan. Një nga projektet kryesore është eksporti i gazit të lëngshëm natyror drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tradicionalisht kanë qenë të varura nga furnizimet ruse. Në Kroaci është ankoruar një terminal lundrues i gazit të lëngshëm natyror, nga ku ShBA-ja synon të zgjerojë furnizimin me energji në rajon. Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, i ka cilësuar këto projekte si “tubacionet e paqes” të administratës Trump.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është “Ndërlidhësi Jugor”, i cili synon transportimin e gazit nga Kroacia përmes Bosnjë-Hercegovinës drejt Serbisë.

Megjithatë, mënyra se si po zhvillohen disa prej këtyre projekteve ka ngjallur kritika nga organizatat për transparencë dhe ekspertët e rajonit, të cilët kanë ngritur shqetësime për mungesën e konkurrencës dhe respektimin e sundimit të ligjit.

BE-ja përballet me sfidën e humbjes së ndikimit

BE-ja vazhdon të jetë investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor, ndërsa më shumë se gjysma e investimeve të huaja në rajon vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Në të kundërt, pjesa e investimeve amerikane është dukshëm më e vogël.

Megjithatë, ShBA-ja mund të fitojë ndikim përmes projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike.

Sipas ekspertëve të cituar nga “DW”, BE-ja nuk ka arritur të ofrojë projekte të përmasave të ngjashme që qytetarët e rajonit t’i shohin si dëshmi konkrete të përfitimeve nga afrimi me Bashkimin Evropian. Në këtë situatë, edhe perspektiva e anëtarësimit në BE po humb besueshmërinë. Prelec ka vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dëgjuar për integrimin evropian prej dekadash, ndërsa që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013 asnjë shtet tjetër i rajonit nuk është bërë anëtar i BE-së. Mali i Zi mund të jetë vendi i parë që e thyen këtë periudhë të gjatë pritjeje, pasi synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në vitin 2028.

Franca dhe Gjermania kanë kërkuar ndërkohë një qasje më fleksibile ndaj vendeve kandidate, duke propozuar që ato të kenë qasje më të hershme në programet dhe tregjet e BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.

Në fund, analiza vlerëson se rritja e interesit dhe investimeve amerikane mund të jetë pozitive për ekonominë e Ballkanit Perëndimor, por përplasja mes Uashingtonit dhe Brukselit mund të sjellë edhe rreziqe për stabilitetin politik.

Nëse ShBA-ja i jep përparësi marrëveshjeve ekonomike afatshkurtra dhe zvogëlon fokusin në demokraci e sundim të ligjit, ekziston shqetësimi se kjo mund të krijojë hapësirë për më shumë përçarje dhe paqëndrueshmëri në rajon.

Pas tri dekadash nga luftërat e viteve ’90, ndryshimi i qasjes së ShBA-së dhe BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor mund të shënojë një fazë të re të konkurrencës për ndikim, me Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në mesin e çështjeve më të ndjeshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës…