Kosova afron aviacionin me standardet evropiane, AAC-ja dhe EASA-ja formalizojnë bashkëpunimin
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) kanë formalizuar dy marrëveshje pune që synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe përafrimin e aviacionit civil të Kosovës me standardet evropiane të sigurisë.
Drejtori i AAC-së, Arjanit Islami, ka thënë se marrëveshjet lidhen me bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet dy institucioneve, si dhe me mbledhjen dhe shkëmbimin e informacioneve për sigurinë e avionëve në kuadër të programit të BE-së për inspektimet në platformë.
Sipas Islamit, marrëveshjet mbështesin zbatimin gradual të legjislacionit të BE-së në fushën e aviacionit dhe mundësojnë pjesëmarrjen e ekspertëve të AAC-së në struktura konsultative dhe teknike të EASA-s. Ai ka theksuar se kjo do ta afrojë Kosovën me zhvillimet rregullatore evropiane dhe do t’i mundësojë ekspertëve kosovarë të kontribuojnë në proceset teknike.
Në të njëjtën kohë, AAC-ja do t’i nënshtrohet monitorimit dhe inspektimeve të standardizimit nga EASA-ja dhe do të ketë përgjegjësi për zbatimin efektiv të kërkesave evropiane të sigurisë dhe adresimin e çdo mangësie të identifikuar.
Ndërsa ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve konfirmon avancimin e aviacionit civil të Kosovës drejt sistemit evropian. Ai ka theksuar rëndësinë e transportit ajror për lidhjen me diasporën, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian.
Basha ka deklaruar se rritja e transportit ajror dhe pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e kompanive evropiane në tregun kosovar duhet të shoqërohen me një autoritet rregullator profesional dhe funksional.
Sipas tij, bashkëpunimi me EASA-n nënkupton jo vetëm mundësi të reja, por edhe përgjegjësi shtesë për AAC-në, ndërsa Qeveria është e gatshme të adresojë pa vonesë çdo gjetje që mund të rezultojë nga vlerësimet dhe inspektimet.
Marrëveshjet, të nënshkruara më 3 gusht nga drejtori ekzekutiv i EASA-s, Florian Guillermet, dhe të formalizuara nga AAC-ja, synojnë forcimin e sigurisë së aviacionit dhe përafrimin e mëtejshëm të Kosovës me standardet dhe mekanizmat evropianë.



