Sint-Truideni blen përfundimisht Arbnor Mujën nga Samsunspori
Klubi belg, Sint-Truiden, ka konfirmuar zyrtarisht transferimin përfundimtar të sulmuesit anësor shqiptar, Arbnor Muja, nga Samsunspor.
Pas një huazimi njëvjeçar, klubi belg ka vendosur ta blejë përfundimisht kartonin e Mujës, i cili gjatë sezonit të kaluar u paraqit në 28 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhuruar dy asistime.
Paraqitjet e tij kanë bindur drejtuesit e Sint-Truiden për ta bërë marrëveshjen të përhershme. Klubi belg ka bërë të ditur gjithashtu se Muja do ta mbajë fanellën me numrin 7.
“STVV blen përgjithmonë Arbnor Mujën nga Samsunspor”, ka njoftuar klubi përmes faqes zyrtare. Muja gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Trepçën, Trepçën ’89, Skënderbeun, Dritën dhe Royal Antwerpin, para transferimit te Samsunspor.



