Tahiri: Do t’i shqyrtojmë veprimet politike në ditët e ardhshme

17 gusht 2026 | 12:19

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij do t’i shqyrtojë veprimet politike në ditët dhe javët e ardhshme, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Tahiri ka bërë me dije se grupi parlamentar i Aleancës do të mblidhet për të diskutuar qasjen e mëtejshme të partisë, duke lënë të hapur mundësinë për veprime të reja politike.

“Dëgjoni, ne si grup do të kemi një takim, grupi parlamentar. Do të shohim për veprimet tona politike si Aleancë. Për sa i përket veprimit politik, kjo do të shqyrtohet, do ta diskutojmë se si do t’i qasemi kësaj teme. Por kjo na detyron neve që të reflektojmë, respektivisht t’i mendojmë çka dhe si do të sillemi në ditët e javët e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka theksuar se Aleanca ka qenë ndër partitë e para që ka ofruar mbështetje për tejkalimin e bllokadës institucionale, përfshirë votimin e presidentit pa kushte.

Ai ka përsëritur se Aleanca nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë, por është e gatshme të kontribuojë në konstituimin e institucioneve të Kosovës.

“E dini që Aleanca, partia e parë që ka reflektuar në një situatë politike bukur të paqartë dhe ka ofruar mbështetjen e Aleancës për të dalë nga bllokada, respektivisht votimin e presidentit pa asnjë kusht për këtë çështje. Është deklaruar hapur në publik që ne nuk jemi, nuk dëshirojmë të jemi pjesë e Qeverisë, mirëpo do të ndihmojmë konstituimin e organeve të Kosovës. Dhe do ta ndihmojmë përmes disa pikave, respektivisht kërkesave të cilat, kur i shikon, i lexon, të gjitha janë të mira për Kosovën, të gjitha janë të realizueshme”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, situata aktuale nuk përbën krizë kushtetuese, por krizë politike.

“Unë mendoj që këtu nuk ka krizë kushtetuese, ka krizë politike”, ka theksuar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rike Roçi ka ndarë së fundmi një mesazh të sinqertë…