INPO-ja: 80 për qind e aktiviteteve të prokurimit ishin planifikuar deri në qershor, por u iniciuan vetëm 15 për qind

18 gusht 2026 | 13:38

Mungesa e realizimit të planifikimeve të prokurimit publik po vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për institucionet e Kosovës. Raporti i INPO-së, “Prokurimi që mbetet në plan”, tregon se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit kanë realizuar vetëm një pjesë të vogël të aktiviteteve të parapara. Nga 905 aktivitete të planifikuara për t’u iniciuar deri më 30 qershor, vetëm 170 janë iniciuar.

Hulumtuesi në INPO, Arbër Kabashi, ka prezantuar të dhënat e raportit për planifikimet dhe aktivitetet e prokurimit të ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit për periudhën nga 1 janari deri më 30 qershor 2026.

Ai ka bërë me dije se analiza është bazuar në planifikimet e prokurimit të publikuara në platformën e e-Prokurimit dhe në aktivitetet e iniciuara përmes formularit B55, përkatësisht njoftimit për kontratë.  Sipas Kabashit, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit kanë planifikuar gjithsej 1 128 aktivitete të prokurimit, me një vlerë totale prej rreth 600 milionë eurosh. Prej tyre, 905 aktivitete, me vlerë rreth 388 milionë euro, ishin planifikuar të inicioheshin deri më 30 qershor. Megjithatë, deri në fund të periudhës monitoruese janë iniciuar vetëm 170 aktivitete, ose rreth 15 për qind e tyre, me një vlerë totale prej rreth 31 milionë eurosh.

Kabashi ka vlerësuar se një nga sfidat kryesore për autoritetet kontraktuese gjatë këtij viti ka qenë miratimi me vonesë i buxhetit. Ai ka bërë të ditur se buxheti për vitin 2026 është publikuar në Gazetën Zyrtare më 2 mars, gjë që ka ndikuar në fillimin e procesit të hartimit dhe dorëzimit të planifikimeve të prokurimit.

Ndërsa Osman Vishaj nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka vlerësuar se planifikimi i prokurimit është themeli i gjithë procesit dhe se niveli i ulët i realizimit nuk lë përshtypje të mirë.

Sipas tij, përveç vonesës në miratimin e buxhetit, edhe ndarja dhe riorganizimi i ministrive kanë krijuar vështirësi në planifikimin dhe realizimin e procedurave të prokurimit. Edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit është vlerësuar se niveli i realizimit të aktiviteteve është i ulët në raport me planifikimet.

Bezad Halilaj ka thënë se këto çështje nuk janë të reja dhe vazhdojnë të paraqiten në menaxhimin e parasë publike, duke kërkuar adresim të vazhdueshëm nga institucionet.

Ndërsa, ekspertja e prokurimit, Diana Metushi-Krasniqi, ka vlerësuar se problemi nuk lidhet vetëm me planifikimin, por edhe me mosrealizimin e reformave në fushën e prokurimit publik. Ajo ka theksuar se vonesat në realizimin e planifikimeve ndikojnë në shfrytëzimin e buxhetit, qarkullimin financiar në treg, funksionimin e bizneseve dhe performancën e institucioneve. Sipas saj, mosrealizimi i planifikimeve të prokurimit ndikon drejtpërdrejt edhe në përmbushjen e nevojave të qytetarëve dhe në besimin ndaj institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e…