Gërvalla kërkon dialog politik për tejkalimin e ngërçit institucional
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje politike për tejkalimin e situatës aktuale institucionale në Kosovë.
Përmes një postimi, Gërvalla u ka bërë thirrje liderëve politikë që të marrin pjesë në takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.
“Ejani në takim! Të flasim!”, ka shkruar Gërvalla, duke theksuar se në tavolinën e dialogut duhet të kërkohet një zgjidhje që i shërben funksionimit të shtetit.
Sipas saj, të gjitha subjektet politike duhet të kontribuojnë përmes propozimit të emrave konkretë për një president konsensual.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ngërç institucional. Ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe marrëveshje”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar se marrëveshja nuk duhet të shihet si dobësi politike, por si përgjegjësi shtetërore.
Gërvalla ka theksuar se shmangia e një krize institucionale është detyrim i të gjitha subjekteve politike, duke kërkuar që interesi i Republikës të vendoset mbi interesat partiake.



