VV dhe LDK ulen në tryezë, presidenti konsensual në fokus të takimit
Ka nisur takimi mes përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve të reja.
Në takimin që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosja po përfaqësohet nga kryetari Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci.
Në anën tjetër, LDK-ja në takim ka shkuar me kryetarin Lumir Abdixhiku, ish-presidenten Vjosa Osmani dhe nënkryetarin Lutfi Haziri.
Sipas deklarimeve para takimit, në fokus të bisedimeve është mundësia e arritjes së një dakordimi për funksionalizimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe zgjedhjen e një presidenti konsensual për Kosovën.
Takimi vjen në një kohë kur partitë politike nuk kanë arritur ende marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Abdixhiku kishte deklaruar ditë më parë se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë dhe se një marrëveshje për bashkëqeverisje me Kurtin ishte e pamundur.
Megjithatë, takimi i sotëm mes dy delegacioneve shihet si një tjetër përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike dhe për t’i dhënë fund bllokadës institucionale.



