Të premten nis sezoni i ri në Superiore, drejtori i garave: Format i ri, garë dinamike dhe më shumë emocione

19 gusht 2026 | 14:06

Sezoni i ri i “Abissnet Superiore” është gati të nisë, me ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu që do të çelë zyrtarisht kampionatin të premten, në orën 21:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në prag të startit të sezonit 2026/27, drejtori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Marjus Sulejmani, ka folur për risitë e kampionatit, formatin e ri të garës dhe pritshmëritë për sezonin e ri.

Sulejmani ka bërë me dije se ceremonia tradicionale e hapjes do të zhvillohet te kampionët në fuqi, Egnatia, në ndeshjen ndaj Tiranës.

“Kampionati nis ditën e premte. Ndeshja e parë që do të zhvillohet është Vllaznia-Skënderbeu, në orën 21:00. Gjithashtu, ditën e shtunë do të luhen dy ndeshje dhe dy takimet e tjera do të zhvillohen ditën e diel. Si çdo vit, ceremonia e hapjes organizohet te ekipi kampion, ku këtë sezon është Egnatia dhe në ndeshjen Egnatia-Tirana, e planifikuar ditën e diel, do të bëhet ceremonia e hapjes së kampionatit”, ka thënë Sulejmani.

Drejtori i Garave ka shpjeguar edhe ndryshimet që sjell sezoni i ri, me një format të ri pas përfundimit të tri fazave të rregullta.

“Risitë janë të shumta. Këtë sezon kemi ndryshim të formatit të garës, ku pas tre fazave të rregullta, ekipet do të ndahen në dy faza: play-off, ku do të garojnë gjashtë ekipet e para për shpalljen e ekipit kampion, dhe katër ekipet e tjera, që janë të renditura nga vendi i shtatë në vendin e dhjetë, do të marrin pjesë në fazën play-out”, ka deklaruar ai.

Sulejmani është ndalur edhe te rregulli për aktivizimin e lojtarëve të rinj me pasaportë shqiptare.

“Siç e dini, ekipet do të aktivizojnë lojtarë me pasaportë shqiptare të datëlindjes 2007 e në vijim. Në ‘Abissnet Superiore’ rregulli është i tillë që ekipet do të duhet ta nisin ndeshjen me një lojtar minimalisht të datëlindjes 2007, i cili do të duhet të aktivizohet një pjesë loje. Ndërsa përsa i përket kategorive të tjera, të parë, të dytë dhe të tretë, ky rregull është që ekipet do të duhet të aktivizojnë lojtarë të datëlindjes 2007 me pasaportë shqiptare gjatë gjithë ndeshjes”, ka sqaruar Sulejmani.

Duke folur për strukturën e re, ai ka thënë se synimi është që kampionati të jetë sa më konkurrues dhe të sjellë më shumë spektakël për tifozët.

“Struktura e kampionatit është e tillë ku skema është shumë dinamike. Urojmë që të kemi sa më shumë tifozë, sa më shumë spektakël, sa më shumë fair-play si në fushë dhe në tribuna”, ka thënë drejtori i Garave.

Sulejmani ka folur edhe për paraqitjen e skuadrave shqiptare në garat evropiane, duke i uruar suksese Egnatias dhe Dinamo City në sfidat e ardhshme.

“Këtë sezon kemi një përfaqësim shumë dinjitoz të Egnatias, që ka siguruar tashmë fazën e ligës në UEFA Conference League, por është akoma në garë për të marrë pjesë në Europa League, ku ndeshja e parë do të luhet më 20 gusht dhe takimi i kthimit më 27 gusht”, ka deklaruar ai.

Sa i përket Dinamo City, Sulejmani ka bërë me dije se skuadra shqiptare do të përballet me Pafos në play-off.

“Gjithashtu, Dinamo City më 20 gusht ka ndeshjen e parë të play-off-it ndaj Pafos, që do të zhvillohet në ‘Elbasan Arena’, ndërsa ndeshja e kthimit më 27 gusht. Urojmë që të dyja ekipet, si Egnatia ashtu edhe Dinamo City, të kualifikohen. Egnatia tashmë e ka siguruar fazën e ligës në Conference League, ndaj urojmë që të shkojë në Europa League. Gjithashtu, shumë suksese Dinamos që në ndeshjen e play-off-it të kualifikohet në fazën e ligës së Conference League”, ka përfunduar Sulejmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur kryetarit të…