Aktakuzë kundër tre personave për kontrabandim me migrantë

20 gusht 2026 | 11:04
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.D., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 5 i KPRK-së, ndërsa B.D., dhe A.F, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë” nga neni 164, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 23 shtator 2025, në afërsi të vendkalimit kufitar të Vërmicës, konkretisht tek ura e fshatit Shkozë, S.D., ka organizuar dhe drejtuar veprimet për kontrabandimin e 10 migrantëve, të gjithë shtetas të Egjiptit, të cilët kishin kaluar në mënyrë të kundërligjshme kufirin Kosovë – Shqipëri.
I akuzuari S.D., kishte marrë me qira një automjet, të cilin më pas ua kishte dorëzuar B.D., dhe A.F., me qëllim që këta të fundit të kryenin transportimin e migrantëve nga zona e Vërmicës në drejtim të pikës kufitare Kosovë – Serbi. Për realizimin e këtij qëllimi, të pandehurit ishin nisur në drejtim të zonës kufitare, ndërsa S.D., kishte komunikuar me B.D., dhe e kishte udhëzuar lidhur me vendin dhe kohën e pritjes së migrantëve. Rreth orës 01:50min, B.D., dhe A.F., kishin ndaluar me automjet në shiritin emergjent të autostradës, në afërsi të urës së fshatit Shkozë, ku kishin pritur migrantët. Në momentin e afrimit të zyrtarëve policorë, në afërsi të automjetit janë vërejtur 10 persona të shtrirë në tokë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin dhe ishin duke pritur për t’u transportuar më tej.
Sipas aktakuzës, 10 migrantët kishin paguar në total 25,000 euro për rrugëtimin nga vendi i origjinës deri në Serbi.
Veprimet e dyshuara janë ndërprerë nga zyrtarët policorë, me ç’rast B.D.,
dhe A.F., janë ndaluar, ndërsa S.D., është larguar nga vendi i ngjarjes pasi kishte vërejtur ndërhyrjen e policisë.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit e lartëcekur, për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi është kthyer te goli në ligën MLS të…