Deliu-Kodra: Bllokimi është politika e LV-së, PDK-ja do ta vazhdojë protestën
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka vlerësuar se bllokimi është politikë e Lëvizjes Vetëvendosje (LV).
Ajo ka bërë me dije se partia në pushtet, kur nuk i kishte votat, e thërriste seancën dhjetëra herë, ndërsa tani, sipas saj, kur i ka votat e nevojshme, nuk e thërret atë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se PDK-ja do ta vazhdojë protestën.
“57 herë e njëjta kandidaturë pa vota. Sot që i kanë votat, nuk e thërrasin seancën. Kur s’i kanë numrat, bllokojnë, kur i kanë numrat, prapë bllokojnë. Sepse bllokimi nuk është pasojë e politikës së tyre. Bllokimi është politika e tyre. Për vite me radhë është rrënuar besimi në institucionet e Kosovës. Është goditur gjithçka që është ndërtuar para tyre. Janë dëmtuar raportet me aleatët, janë sabotuar projekte strategjike, janë goditur prodhuesit dhe është krijuar bindja se në këtë vend asgjë nuk funksionon. E kujt i konvenon një Kosovë ku qytetari nuk beson më në shtetin e vet? Sigurisht jo Kosovës. Prandaj do të vazhdojmë protestën. Sepse Kosova nuk është pronë e një partie dhe shteti nuk mund të mbahet peng për pushtetin e një njeriu”, ka shkruar ajo.



