Bytyqi: Kosova s’ka kohë për të humbur, institucionet duhet të formohen urgjentisht
Deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, nga foltorja e Kuvendit ka kërkuar formimin urgjent të institucioneve të Kosovës, duke argumentuar se vendi po përballet me probleme dhe sfida që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Bytyqi ka deklaruar se përfaqësuesit e qytetarëve nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë situatës në vend.
“E ne si përfaqësues të popullit nuk mund të qëndrojmë të heshtur e ku Kosova ka probleme e sfida të cilat kërkojnë zgjidhje. Para vetes janë shumë tema të cilat duhet të zgjidhen me urgjencë nga spektri politik. Të gjithë e dimë që Kuvendi e institucionet është e nevojshme të formohen, sepse nafta në vendin tonë është 1.78 euro”, ka deklaruar Bytyqi.
Ajo ka renditur disa prej çështjeve që, sipas saj, kërkojnë funksionalizimin e Kuvendit dhe institucioneve.
“Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse ligji i akcizës duhet të shfuqizohet. Kjo e drejtë dhe ky fakt ka krijuar alarm me faktin e faktorizimit të serbëve dhe votimit të tyre në shtetin tonë. Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse çmimi i produkteve të shportës familjare ka kaluar në ekstrem, duke vështirësuar jetën e mirëqenien e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, një tjetër çështje urgjente është punësimi i të rinjve të diplomuar.
“Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse në shtetin tonë janë mijëra të rinj të diplomuar, të cilët kanë nevojë për punë, dinjitet e vazhdim të jetesës në Kosovë”, ka deklaruar Bytyqi.
Deputetja e Aleancës ka përmendur edhe problemet me furnizimin me energji elektrike, pagat dhe largimin e qytetarëve nga Kosova.
“Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse Prishtina dhe plot qytete e fshatra në Kosovë nuk kanë energji elektrike me orë të tëra, edhe pse jemi në stinën e verës. Kuvendi e institucionet duhet të formohen sepse kemi mbetur vendi me pagat më të vogla në rajon. Dhe pa humbur kohë duhet të rriten pagat e mjekëve, policëve, mësimdhënësve, zjarrfikësve, gjyqtarëve, doganierëve”, ka thënë ajo.
Bytyqi ka ngritur shqetësimin edhe për largimin e qytetarëve nga vendi.
“Kuvendi e institucionet duhet të bëhen sepse kemi ikje e largim të madh të qytetarëve nga vendi. Dhe ne duhet të gjejmë formën që ta ndalim këtë trend shqetësues për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar Bytyqi.
Në fund, ajo ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen problemet e vendit, duke kërkuar që zgjidhjet të gjenden përmes institucioneve të Kosovës.
“Të dashur qytetarë, të dashur kolegë të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha këto tema e probleme nuk zgjidhen në fusha futbolli, e as në tryeza ndërkombëtare, e as në pushime e në vende luksi dhe duke u fshehur pas akuzave e kalkulimeve politike. Këto urgjenca kombëtare zgjidhen këtu, në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Bytyqi.
Ajo ka kërkuar krijimin e institucioneve të reja dhe ka shprehur gatishmërinë e Aleancës për të mbështetur nismat që janë në interes të qytetarëve.
“Andaj ne nuk kemi kohë për të humbur, prandaj ftesa dhe kërkesa jonë është që institucionet e Kosovës dhe Kuvendi, Presidenca të krijohen, dhe ne si Aleancë e përkrahim dhe e mbështesim çdo nismë dhe punë të mirë në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Bytyqi. /EO



