Shitja e thëngjillit, KEK-u sqaron kontratën: Nuk është koncesion

20 gusht 2026 | 13:36

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj kritikave lidhur me kontratën e re për shitjen e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar si të pabazuara interpretimet se bëhet fjalë për koncesion.

KEK-u ka theksuar se kontrata me JSC ESM ka të bëjë vetëm me shitjen e qymyrit dhe se nuk përmban asnjë dispozitë për dhënien me koncesion të thëngjillit, minierave, aseteve apo resurseve të korporatës.

“KEK-u nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e publikuara nga palë të tjera. Për KEK-un, referencë zyrtare dhe juridikisht e vlefshme është kontrata. Në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë për koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e KEK-ut. Objekti i saj është i qartë: SHITJA E QYMYRIT”, ka deklaruar KEK-u.

Sipas korporatës, kontrata dhe dosja e tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të KRPP-së dhe mund të verifikohen nga palët e interesuara.

KEK-u ka bërë të ditur se çmimi është 24.4 euro për ton pa TVSH, me periudhë realizimi prej 36 muajsh dhe vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro. Shitja do të bëhet drejtpërdrejt te përdoruesi përfundimtar, pa ndërmjetësues.

Korporata ka sqaruar gjithashtu se nuk do të marrë përsipër eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit.

“Kjo e mban realizimin e kontratës të ndarë nga proceset operative të Korporatës dhe garanton se shitja e kësaj sasie të qymyrit nuk cenon operimet minerare, furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike”, ka thënë KEK-u.

Sipas korporatës, nevojat e termocentraleve mbeten prioritet absolut, ndërsa paraqitja e kontratës si “koncesion” është e pabazuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen e dokumentit zyrtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit, ekipet e Qendrës Emergjente të…