Tensionet te Barcelona, De Jongu përballet me pikëpyetje për të ardhmen

20 gusht 2026 | 14:23

Shtatë vjet pas transferimit të tij te Barcelona, marrëdhënia mes Frenkie de Jong dhe klubit katalanas duket se po kalon një prej periudhave më delikate.

Barcelona e transferoi holandezin nga Ajaxi në vitin 2019, duke mposhtur konkurrencën e Paris Saint-Germainit dhe duke investuar rreth 86 milionë euro, përfshirë bonuset. Transferimi shihej si një investim i madh për një prej mesfushorëve më premtues të futbollit evropian.

Megjithatë, De Jong nuk ka arritur të japë vazhdimisht nivelin që pritej prej tij. Përveç konkurrencës së madhe në mesfushë, karriera e tij në Barcelonë është ndikuar edhe nga problemet fizike.

Që nga transferimi në Kataluni, 29-vjeçari raportohet se ka munguar rreth 437 ditë për shkak të lëndimeve, duke humbur një numër të konsiderueshëm ndeshjesh.

Problemi i fundit u shfaq gjatë Kupës së Botës, ku De Jong pësoi një dëmtim në gju. Futbollisti ka treguar se fillimisht kishte marrë garanci nga stafi mjekësor i Holandës se dëmtimi nuk ishte serioz, por më vonë kishte mësuar se situata ishte më e rëndë.

Lëndimi pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth katër muaj. Në të njëjtën kohë, Barcelona ka afruar Rodrin, kampionin e botës dhe një prej emrave kryesorë të projektit të ri në mesfushë.

Ardhja e spanjollit ka rritur konkurrencën për një vend në formacion dhe ka shtuar pikëpyetjet për të ardhmen e De Jongut në klub.

Sipas mediave katalunase, tensionet mes lojtarit dhe Barcelonës janë shtuar edhe për shkak të vendimit të tij për të ndjekur terapi konservative në vend të ndërhyrjes kirurgjikale. Megjithatë, vetë De Jong e ka mohuar këtë version.

Një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendjen është vendimi i trajnerit Hansi Flick për të mos ia besuar De Jongut shiritin e kapitenit.

Pas largimit të Marc-Andre ter Stegen dhe Ronald Araujos, Flick zgjodhi Raphinhën si kapiten të parë, ndërsa pas tij në hierarki u renditën Eric Garcia dhe Pedri.

Ky vendim është interpretuar si një tjetër sinjal se pozita e De Jongut brenda grupit mund të ketë ndryshuar.

Edhe pritja nga tifozët gjatë prezantimit të skuadrës në Trofeun Joan Gamper thuhet se ka qenë e ftohtë. Në të kundërt, Rodri është pritur me entuziazëm të madh, duke nxitur edhe më shumë diskutimet për ndryshimin e hierarkisë në Barcelonë.

Për De Jongun, sezoni i ardhshëm pritet të jetë vendimtar. Përveç rikuperimit nga dëmtimi, mesfushori holandez duhet të bindë klubin dhe trajnerin se ende mund të jetë një prej figurave kryesore të projektit katalanas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Francis Clifford Smith, i cili u bë i njohur si…