Trepça nis mbrojtjen e titullit ndaj Rahovecit, shorti përcakton javën e parë të Superligës në basketboll
Në zyrat e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në prani të përfaqësuesve të klubeve, është hedhur shorti për edicionin e ri të ProCredit Superligës.
Kampionia e Kosovës, Trepça, do ta nisë mbrojtjen e titullit si mysafire e Rahovecit 029 në xhiron e parë. Derbi i javës së parë do të zhvillohet ndërmjet rivalëve të vjetër, Sigal Prishtinës dhe Pejës, në një përballje që pritet të sjellë emocione të shumta që në start të kampionatit.
Trepça dhe Peja do të përballen në javën e dytë, ndërsa në xhiron e tretë do të takohen nënkampioni Bashkimi dhe kampionia Trepça.
Edicioni i ri i ProCredit Superligës pritet të jetë mjaft interesant, me skuadrat që synojnë të japin maksimumin për të arritur objektivat e tyre. Java e parë do të zhvillohet më 19 dhe 20 shtator. Orari i shtatë xhirove të para është përcaktuar përmes shortit të zhvilluar në ambientet e FBK-së.




