Limaj shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të policit Altin Kryeziu
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur ngushëllime për ndarjen tragjike nga jeta të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Altin Kryeziu, i cili humbi jetën pas plagëve të marra në një aksident në krye të detyrës.
Limaj ka thënë se vdekja e Kryeziut është një humbje e rëndë për familjen e tij, kolegët dhe gjithë Malishevën.
“Kjo është një humbje e rëndë për familjen Kryeziu, për kolegët e tij dhe për gjithë Malishevën. Në momente të tilla, fjalët janë të pamjaftueshme për ta shprehur dhimbjen që lë pas humbja e një të riu që jetën dhe përkushtimin e tij ia kushtoi shërbimit ndaj qytetarëve dhe vendit”, ka shkruar Limaj.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën Altinin.
“U prehtë në paqe Altin Kryeziu. Kujtimi për të qoftë i përjetshëm”, ka përfunduar Limaj.



