Tesla tërheq 3 milionë makina, edhe markat kineze të makinave elektrike në telashe, dorezat moderne ngrenë shqetësime serioze

24 gusht 2026 | 21:11

Dorezat e fshehura dhe që dalin jashtë vetëm kur afrohet pronari janë bërë një veçori e njohur e makinave elektrike. Por ky dizajn është tashmë në qendër të tërheqjes më të madhe të makinave në Kinë, që prek më shumë se 4 milionë automjete.

Mes tyre janë rreth 2.98 milionë Tesla të prodhuara në Kinë, ndërsa në listë përfshihen edhe modele nga prodhuesit kinezë XPeng, Xiaomi dhe Geely.

Problemi lidhet me sigurinë.

Dorezat e fshehura mund të jenë të vështira për t’u hapur në raste emergjente, veçanërisht pas një aksidenti kur sistemi elektrik i makinës mund të mos funksionojë.

Çështja u vu në qendër të vëmendjes pas dy aksidenteve fatale në Kinë me automjete Xiaomi, ku dyshohet se problemet me energjinë elektrike penguan hapjen e dyerve.

Tesla ka deklaruar se po tërheq disa modele Model 3, Model Y, Model S dhe Model X, pasi dorezat mund të jenë të vështira për t’u dalluar dhe përdorur për shkak të ngjyrës së ngjashme me pjesën e brendshme të derës.

Për të parandaluar probleme në raste aksidentesh, Tesla do të vendosë etiketa paralajmëruese në automjetet e prekura dhe do të kryejë një përditësim të softuerit, i cili do të ulë automatikisht xhamat pas një përplasjeje.

Nuk dihet ende nëse këto kompani do të bëjnë të njëjtën tërheqje edhe në vende të tjera jashtë Kinës.

Autoritetet kineze kanë marrë gjithashtu masa më të forta. Duke nisur nga 1 janari 2027, makinat e reja që shiten në Kinë duhet të kenë një mekanizëm mekanik për hapjen e dyerve nga brenda dhe jashtë.

Dorezat e fshehura të Tesla-s janë hetuar edhe në SHBA, pas rasteve kur ato nuk kanë funksionuar dhe kanë lënë fëmijë të bllokuar brenda automjeteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Irani është përpjekur…