Muriqi: Do të bëjmë gjithçka për kualifikimin në Ligën e Kampionëve
Vedat Muriqi ka folur me optimizëm para ndeshjes së kthimit ndaj Lyonit, ku Fenerbahçe do të kërkojë kualifikimin në fazën e Ligës së Kampionëve.
Sulmuesi kosovar ka theksuar se skuadra tashmë i ka përvetësuar mirë kërkesat taktike të trajnerit dhe se përvoja dhe cilësia e ekipit mund të bëjnë diferencën në këtë përballje. Ndeshja e parë në Stamboll ka përfunduar 1-1, ndaj gjithçka mbetet e hapur në sfidën e kthimit.
“I kemi mësuar taktikat që kërkon trajneri. Me përvojën dhe cilësinë që kemi, me ndihmën e Zotit, do të bëjmë gjithçka për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për Fenerbahçen dhe futbollin turk”, është shprehur Muriqi.
Sulmuesi kosovar pritet të jetë një prej pikave kryesore të Fenerbahçes në këtë sfidë, sidomos pas paraqitjes së mirë në fitoren 4-2 ndaj Konyasporit, ku ai ka shënuar një nga golat e skuadrës.
Fenerbahçe udhëton në Francë me synimin për të siguruar një vend në fazën e Ligës së Kampionëve, ndërsa Muriqi dhe bashkëlojtarët e tij do të kërkojnë ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi.



