PDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit

27 gusht 2026 | 12:23

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë me dije se do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e kryesuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit.

Në një konferencë për medie, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kallëzimi penal bëhet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas PDK-së, Dehari, si deputeti më i vjetër në moshë dhe kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës XI, dyshohet se nga 8 gushti 2026 e në vazhdim nuk e ka përmbushur detyrën për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.

PDK-ja ka vlerësuar se Dehari ka tejkaluar kompetencat e tij procedurale duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura të grupeve parlamentare opozitare.

Në kallëzimin penal përmenden edhe kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.

Sipas PDK-së, mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje, ndërsa veprimet e kryesuesit të seancës dyshohet se kanë ndikuar në vazhdimin e kësaj situate.

Gruda ka thënë se PDK-ja pret nga Prokuroria Speciale që kallëzimin ta trajtojë në përputhje me ligjin dhe të zbardhë nëse ka përgjegjësi penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Partia Demokratike e Kosovës sot do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, siç e dini, për shkak të moshës është drejtues i seancës konstituive, ose kryesues i saj, dhe detyrë të cilën ai nuk po e ushtron në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës dhe me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Gruda.

Ai ka theksuar se, sipas PDK-së, Rregullorja e Kuvendit parasheh që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë për vazhdimin e seancës konstituive.

“Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë. Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive”.

“Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare, në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edison Nerjovaj shpall të pavlefshme dëftesat e sh.f. “Pjeter Budi”…