‘Është nder ta kem emrin tim të shënuar në këtë histori’, Muriqi flet pasi udhëhoqi Fenerbahcen drejt Ligës së Kampionëve

27 gusht 2026 | 13:46

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi shënoi në fitoren 2-1 ndaj Lyonit dhe ishte një nga protagonistët kryesorë të rikthimit të Fenerbahçes në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve pas 18 vitesh.

Fenerbahçe është rikthyer në elitën e futbollit evropian pas 18 vitesh, ndërsa në qendër të festës ishte sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, i cili shënoi një nga golat, duke nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij të dytë me klubin turk.

Pas ndeshjes, Muriqi foli për rëndësinë e këtij kualifikimi dhe krenarinë që të dëgjohet himni i Championsit në stadiumin e Fenerbahçes.

“Është nder dhe burim i krenarisë për ne që ta dëgjojmë himnin e Ligës së Kampionëve në ‘Kadikoy’ pas gjithë këtyre vjetëve”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes për faqen zyrtare të klubit.

“Jemi shumë të lumtur. Në fjalën që kemi dhënë para ndeshjes kemi besuar se, me dëshirën e Zotit, do të kemi paraqitje të mirë dhe do të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Jemi bashkuar pas ndeshjes me Konyasporin. Ajo fitore rriti moralin tonë. Kemi pasur unitet të pabesueshëm. Përkundër kohës së shkurtër, kemi luftuar fort. Jemi munduar të lëmë anash emocionet. Jemi profesionistë, jemi me përvojë. Nuk duhet të shikosh në ndeshje me emocione”.

Muriqi theksoi se në momente të tilla edhe fati mund të luajë rol, ndërsa kualifikimin e konsideroi si një dhuratë për të gjithë komunitetin e Fenerbahçes.

“Por ndonjëherë edhe fati është i rëndësishëm në futboll. Jemi të gjithë të lumtur dhe krenarë. Është dhuratë për gjithë komunitetin e Fenerbahçes, tifozët dhe gjithë Turqinë”.

Sulmuesi kosovar u ndal edhe te goli i tij, duke shprehur krenarinë për faktin se emri i tij tashmë është pjesë e një momenti historik për klubin.

“Është nder ta kem emrin e shënuar në ekipin që shkroi emrin e Fenerbahçes në Ligën e Kampionëve pas kaq shumë vjetësh”, ka thënë ylli dardan.

Ndryshe, Muriqi u rikthye te Fenerbahçe gjatë kësaj vere, pasi sezonin e kaluar shkëlqeu në La Liga me Mallorcan, duke realizuar 23 gola.

Megjithatë, pas rënies së klubit nga elita spanjolle, 32-vjeçari pranoi ofertën e Fenerbahçes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi katalunas, Barcelona ka njoftuar sot (e enjte) zyrtarisht se…