Ramadani: Dita e 20-të e bllokadës, shkollat nisin pas pak ditësh dhe përgatitjet kanë të meta serioze
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar gjendjen institucionale në vend, duke thënë se kanë kaluar 20 ditë nga, siç e quan ai, “bllokada e re”, ndërsa fillimi i vitit të ri shkollor po afrohet.
Ramadani ka thënë se përgatitjet për fillimin e mësimit kanë “të meta serioze”, duke veçuar edhe çështjen e furnizimit me libra shkollorë.
“Kurrë nuk ka pasur amulli për blerjen e librave sikur tash. Prindërit anëkënd Kosovës janë në konfuzion. Përgjegjësit për organizimin e sistemit po dëshmojnë mungesa të mëdha të kapaciteteve”, ka shkruar ai.
Sipas Ramadanit, bllokimi i Kuvendit po pamundëson ndërmarrjen e iniciativave parlamentare për të adresuar problemet që lidhen me fillimin e vitit të ri mësimor.
“Kuvendi mbetet i bllokuar dhe kështu asnjë iniciativë parlamentare nuk mund të merret për të adresuar këtë qasje joserioze për fillimin e vitit mësimor”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka theksuar se mungesa e llogaridhënies përbën, sipas tij, një shqetësim thelbësor për demokracinë në Kosovë.



