DnV i bën thirrje u.d presidentes Haxhiu ta kompletojë KQZ-në me anëtarin e njëmbëdhjetë

31 gusht 2026 | 12:32

Demokracia në Veprim (DnV) vlerëson se u.d. presidentja Albulena Haxhiu, sot, me emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk e ka përmbyllur përbërjen e plotë të këtij institucioni.

KQZ-ja ka mbetur me 10 nga 11 anëtarët që parashihen me Kushtetutë.

Për DnV-në, argumenti se KQZ-ja mund të funksionojë edhe me 10 anëtarë nuk mund të shërbejë si arsyetim për moskompletimin e saj.

“Kushtetuta e ka përcaktuar përbërjen e KQZ-së dhe respektimi i saj nuk mund të varet nga vlerësimi nëse mungesa e një anëtari e pengon apo jo punën e përditshme. Normalizimi i një praktike të tillë krijon precedent të dëmshëm, dobëson sigurinë juridike dhe cenon besimin në institucionin që ka përgjegjësinë kryesore për administrimin e zgjedhjeve. Prandaj, Demokracia në Veprim i bën thirrje U.D. Presidentes Albulena Haxhiu që pa vonesë ta përmbyllë procesin dhe ta kompletojë KQZ-në me anëtarin e njëmbëdhjetë. Emërimi duhet të bëhet në përputhje me modelin strikt të përfaqësimit të grupeve parlamentare, të zbatuar në praktikën institucionale deri në ciklin e fundit, ku grupet përfaqësohen fillimisht në mënyrë të barabartë dhe vendet shtesë plotësohen sipas radhës së grupeve më të mëdha”, thuhet në reagimin e DnV-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka vlerësuar…