Biografia e Bekim Sejdiut, kandidat për president
Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, është kandidati konsensual për president i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sejdiu është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pozitë të cilën e mban që nga prilli i vitit 2015.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, ai kishte një karrierë të gjatë në diplomaci dhe në fushën akademike.
Ai i përket brezit të parë të ambasadorëve të Kosovës dhe ka shërbyer si ambasador i Republikës së Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012. Më pas, nga viti 2012 deri më 2014, ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork.
Para se të emërohej ambasador, Sejdiu ka shërbyer si këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Formimi akademik
Sejdiu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1999. Ai ka dy diploma magjistrature. Njërën e ka përfunduar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bilkentit në vitin 2005, ndërsa tjetrën në demokraci dhe të drejta të njeriut, në Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Bolonjës në vitin 2001.
Doktoraturën e ka përfunduar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Fakultetin e Qeverisë dhe Studimeve Evropiane në Nova Univerza në Slloveni.
Përveç angazhimeve institucionale, Sejdiu ka një përvojë të gjatë në akademi. Që nga viti 2002, ai ka qenë profesor asistent në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Angazhimi në shoqëri civile dhe diplomaci
Në vitet 2000–2002, Sejdiu ka shërbyer si drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile. Ndërsa nga viti 2002 deri më 2008 ka qenë pjesë e grupit themelues dhe anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të KIPRED-it.
Gjatë veprimtarisë së tij publike, ai është angazhuar në promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.
Për kontributin e tij profesional dhe publik, Sejdiu është nderuar me disa dekorata dhe mirënjohje, ndër to Dekorata e Asamblesë së Shtetit të Nju-Jorkut, Çelësi i qytetit Worcester në Massachusetts dhe Medalja e Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë.
Ai ka zhvilluar gjithashtu vizita dhe qëndrime studimore në universitete të ndryshme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka botuar punime akademike në revista shkencore vendore dhe ndërkombëtare.
Me një karrierë që përfshin drejtësinë kushtetuese, diplomacinë, arsimin universitar dhe shoqërinë civile, Sejdiu tani është përzgjedhur nga LV-ja dhe LDK-ja si kandidat i përbashkët për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.



