Takim miqsh
Sot, në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, Dr. Sali Berisha priti veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Osman Osmani dhe ish-gazetarin e Televizionit të Prishtinës, Elez Osmanin.
Dr. Berisha e informoi z. Osman Osmani për situatën dhe gjendjen politike e shoqërore në Shqipëri, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme të opozitës për sendërtimin e demokracisë mbi baza të shëndosha.
Gjatë takimit, Dr. Berisha kujtoi gjithashtu takimet e viteve ’90 me mërgatën shqiptare në Amerikë, si dhe angazhimin e lobit shqiptaro-amerikan për çështjen e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë. Në krye të këtij angazhimi ishte Jozef DioGuardi, ndërsa z. Osman Osmani ishte anëtar i Bordit Ekzekutiv dhe mbikëqyrës i Thesarit.
Z. Osmani falënderoi Dr. Berishën për kontributin e Shqipërisë dhe të tijin në veçanti për çështjen e Kosovës.
Në fund të takimit, z. Osmani shprehu dëshirën që të takohen sërish së shpejti në Amerikë.
Ndërkaq, ish-gazetari i Televizionit të Prishtinës, Elez Osmani i dhuroi Dr. Berishës monografinë kushtuar Vasil Germenjit, për të cilën Doktori shprehu falënderimin e tij. Ai theksoi se është obligim i yni që t’i ndriçojmë figurat e shumta që jetuan dhe vepruan në diasporë.




