Konfirmohet data kur do të zbulohen nominimet për ‘Topin e Artë’
“Topi i Artë” ka konfirmuar datën kur do të publikohen listat e kandidatëve për çmimet e vitit 2026, duke nisur zyrtarisht garën për disa prej vlerësimeve më prestigjioze individuale në futboll.
Të gjitha listat e kandidatëve do të publikohen më 8 shtator, përmes faqes zyrtare të “Topit të Artë”.
Në total, janë 12 kategori, të kryesuara nga çmimet për “Topin e Artë” në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Në mesin e kategorive janë edhe çmimet për talentin më të mirë të ri, portierin, trajnerin dhe sulmuesin më të mirë, si dhe për klubin më të mirë në konkurrencën e meshkujve dhe femrave.
Numri i kandidatëve në secilën kategori do të jetë:
“Topi i Artë” për meshkuj: 30 lojtarë
“Topi i Artë” për femra: 30 lojtare
Talenti më i mirë i ri për meshkuj: 10 lojtarë
Talenti më i mirë i ri për femra: 5 lojtare
Portieri më i mirë për meshkuj: 10 portierë
Portierja më e mirë për femra: 5 portiere
Trajneri më i mirë për meshkuj: 5 trajnerë
Trajnerja më e mirë për femra: 5 trajnere
Sulmuesi më i mirë për meshkuj: 10 sulmues
Sulmuesja më e mirë për femra: 5 sulmuese
Klubi më i mirë për meshkuj: 5 klube
Klubi më i mirë për femra: 5 klube
Ceremonia e ndarjes së çmimeve për vitin 2026 do të mbahet më 26 tetor në Londër, në një edicion të veçantë që shënon 70-vjetorin e themelimit të “Topit të Artë”.
Ceremonia do të zhvendoset nga Parisi, ku është mbajtur që nga viti 2019, në kryeqytetin anglez. Ky ndryshim lidhet me nderimin e futbollistit të parë që fitoi “Topin e Artë”, legjendës angleze Sir Stanley Matthews.
Fituesit do të përcaktohen nga një panel ndërkombëtar gazetarësh të specializuar. Secili votues do të përzgjedhë 10 lojtarët më të mirë nga lista e kandidatëve, duke i vlerësuar në bazë të paraqitjeve individuale, arritjeve kolektive, trofeve të fituara dhe sjelljes sportive.
“Topin e Artë” në vitin 2025 e fitoi Ousmane Dembele. Sulmuesi francez u shpall fitues pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Paris Saint-Germainin.



