Zhegrova mbetet te Juventusi, refuzon huazimin
Edon Zhegrova pritet të vazhdojë të jetë pjesë e Juventusit, me sulmuesin e Kosovës që ka kontratë me klubin italian deri në verën e vitit 2030.
Ditët e fundit është raportuar për një largim të mundshëm të Zhegrovës në formë huazimi, por ai ka vendosur të qëndrojë në Torino dhe të luftojë për më shumë hapësirë në skuadër. Lazio dhe Al-Ittihad kanë shfaqur interesim për huazimin e tij me detyrim blerjeje, por Zhegrova ka refuzuar ofertat.
Futbollisti i Kosovës dëshiron të dëshmojë vlerat e tij te Juventusi dhe ta bindë trajnerin Luciano Spalletti se meriton më shumë minuta, nëse jo edhe një vend në formacionin titullar.
Sezoni i parë i Zhegrovës në Torino nuk ishte ndër më të mirët, pasi ai ka pasur minutazh të kufizuar dhe u përball edhe me probleme fizike.
Deri më tani, Zhegrova ka regjistruar 28 paraqitje për Juventusin në të gjitha garat, por vetëm në një prej tyre ka qenë titullar.
Në ndeshjet e tjera është aktivizuar nga banka e rezervistëve. Zhegrova i është bashkuar Juventusit verën e kaluar nga Lille për shumën prej 15 milionë eurosh dhe tani synon të fitojë më shumë besimin e stafit teknik për sezonin e ri.



