Enzo Fernandez i bashkohet sot Man Cityt, Chelsea e gjen pasardhësin e tij në Itali
Një transferim i bujshëm pritet të ndodhë në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, me Enzo Fernandez që është shumë pranë kalimit te Manchester City.
Sipas “Sky Sport”, Manchester City ka arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e mesfushorit argjentinas.
Marrëveshja mes palëve është arritur në orët e fundit, ndërsa Fernandez pritet të udhëtojë drejt Manchesterit gjatë pasdites së sotme për të finalizuar transferimin.
Shifrat e sakta ende nuk janë bërë të ditura, por Chelsea mund të përfitojë më shumë se 120 deri në 130 milionë euro nga shitja e mesfushorit.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume pritet të përdoret nga Chelsea për transferimin e Manu Kones nga Roma.
Mesfushori francez është një nga objektivat kryesorë të klubit londinez për përforcimin e mesfushës pas largimit të Fernandezit. Me hapësirën e krijuar në aspektin financiar, Chelsea synon të mbyllë edhe këtë lëvizje në orët e fundit të afatit kalimtar.
Në këtë mënyrë, largimi i Fernandezit nga “Stamford Bridge” pritet t’i hapë rrugë një kapitulli të ri në karrierën e tij te Manchester City, ndërsa Chelsea po punon për të gjetur menjëherë zëvendësuesin e tij.



