Xhelal Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 2018. Shkalla e dënimit do të shpallet pas seancës së paraparë më 8 shtator. Avokai i Sveçlës, Laur Prenaj, thotë se vendimi i sotëm ishte vendim në gjysmë.
“Kështu që ne duhet ta presim vendimin e arsyetuar që të japim komente”. Ai thotë se dënimi i tij është krejt i pazakontë. “Kjo është e pazakontë në praktikë, do ta shfrytëzojmë të drejtën e ankesës”, tha ai.
Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërkaq, për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit.
I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.
Për këtë rast, përveç Sveçlës, aktakuza e ngritur më 29 korrik 2019 përfshinte edhe ish-deputetët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba.
Në seancën e kaluar, gjatë deklarimit në gjykatë, Sveçla tha se veprimi i tyre kishte qenë politik dhe se nuk e ndien veten fajtor.
“Nuk e ndiej veten fajtor… Akti ynë ka qenë një akt tërësisht politik, me qëllim jo të pengojmë personat në kryerjen e detyrës zyrtare, por të parandalojmë faljen ose shitjen e 8,200 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar ai.



