Hapet zyra e përbashkët e Doganës dhe Policisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është hapur zyrtarisht Njësia e Përbashkët e Kontrollit (Airport Control Unit – ACU), një strukturë e përbashkët e Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, e krijuar për forcimin e kontrollit të udhëtarëve dhe ngarkesave dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të paligjshëm.
Ceremonia e hapjes u zhvillua me pjesëmarrjen e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, Policisë së Kosovës përfaqësuar nga Samedin Mehmeti, si dhe përfaqësuesit të UNODC-së, si dhe kreu Bashkëpunimit i Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, të cilët së bashku hapën zyrtarisht hapësirat e Njësisë së Përbashkët të Kontrollit.
Hapja e kësaj njësie shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Doganës dhe Policisë, duke mundësuar koordinim më të drejtpërdrejtë, shkëmbim më efikas të informacionit dhe veprime të përbashkëta në kontrollin e pasagjerëve dhe ngarkesave në aeroport.
Njësia është themeluar në kuadër të Veprimit të Përbashkët BE – UNODC për promovimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë përmes masave të synuara të kontrollit kufitar në portet dhe aeroportet e Evropës Juglindore – Faza II, i cili zbatohet nga UNODC me partnerë ndërkombëtarë.
Projekti synon forcimin e kapaciteteve të autoriteteve të Ballkanit Perëndimor për parandalimin dhe adresimin e krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm dhe terrorizmit përmes përgjigjeve të koordinuara të institucioneve të zbatimit të ligjit në kufi.
Kjo njësi e re e vendos ACU Prishtina në rrjetin rajonal të njësive ndërinstitucionale në Evropën Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e informacionit dhe inteligjencës, operacione të përbashkëta dhe shkëmbim të përvojave me njësitë homologe në rajon.
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve të kontrollit kufitar, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së kufijve të Republikës së Kosovës.



