IQMT-ja intensifikon kontrollet pranë shkollave, shqiptohen 3 gjoba dhe sekuestrohen cigare elektronike
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar inspektimet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në bizneset që ndodhen pranë institucioneve arsimore.
Gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë zhvilluar 18 inspektime në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Fushë-Kosovën, Rahovecin, Istogun, Shtimen dhe Podujevën.
Në kuadër të kontrolleve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në subjektet afariste pranë shkollave.
Për shkelje të dispozitave ligjore dhe mosrespektim të urdhrave të inspektorëve, janë shqiptuar 3 gjoba, ndërsa gjatë kontrolleve janë realizuar edhe 2 sekuestrime.
IQMT-ja ka bërë me dije se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha regjionet e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së të miturve dhe krijimit të një mjedisi më të sigurt për nxënësit.
Në këtë kuadër, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit pranë institucioneve arsimore



