Argjentina ka zgjedhur pasardhësin e Messit për fanellën me numrin 10, por ka një kusht

02 shtator 2026 | 16:41

Lionel Messi i ka dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren e Argjentinës, duke u larguar si kampion bote dhe si një prej golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës.

Messi gjatë karrierës së tij është cilësuar shpesh si një “magjistar” i futbollit, por largimi i tij nga kombëtarja lë pas një boshllëk të jashtëzakonshëm, jo vetëm në skuadër, por edhe për fanellën legjendare me numrin 10.

Kapiteni i Argjentinës njoftoi këtë javë tërheqjen nga futbolli ndërkombëtar, duke deklaruar se largohet pasi ka dhënë gjithçka për fanellën bardhekaltër dhe se nuk ka më asgjë për të ofruar në fushë.

Pas 207 paraqitjeve me kombëtaren dhe një karriere të jashtëzakonshme ndërkombëtare, fituesi i tetëfishtë i “Topit të Artë” lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Por, së bashku me të, mbetet edhe pyetja e madhe: kush do ta trashëgojë fanellën me numrin 10, të cilën para Messit e kishte bërë të famshme edhe legjenda tjetër argjentinase, Diego Maradona?

Sipas raportimeve nga Argjentina, drejtuesit e kombëtares tashmë e kanë identifikuar lojtarin që pritet ta marrë këtë numër, por ekziston një kusht i rëndësishëm.

ESPN Argentina raporton se e ardhmja e fanellës ikonike me numrin 10 lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e trajnerit Lionel Scaloni.

Scaloni e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës “Katar 2022”, ndërsa në vitin 2026 e dërgoi skuadrën deri në finale.

48-vjeçari është në krye të kombëtares që nga viti 2018 dhe pritet që gjatë muajve të ardhshëm të negociojë për vazhdimin e kontratës së tij.

Nëse Scaloni arrin marrëveshje të re me Federatën Argjentinase të Futbollit, fanella me numrin 10 e Lionel Messit pritet t’i besohet mesfushorit ofensiv 21-vjeçar, Nico Paz.

Nico Paz shihet si pasardhësi i Messit

Paz ka lindur në Spanjë, por është djali i një ish-futbollisti të kombëtares argjentinase.

Ai është produkt i akademisë së Real Madridit dhe ka kaluar nëpër ekipin Castilla, përpara se në vitin 2024 të transferohej te Como në Serie A, pasi kishte regjistruar tetë paraqitje me ekipin e parë të klubit madrilen.

Talenti argjentinas konsiderohet si një nga mesfushorët ofensivë të rinj më premtues në futbollin evropian.

Nën drejtimin e Cesc Fabregasit te Como, Paz ka bërë paraqitje të shkëlqyera dhe ka fituar gjithnjë e më shumë vëmendje.

Ai ka zhvilluar 11 ndeshje me kombëtaren e Argjentinës, ndërsa në futbollin italian ka shënuar 19 gola në 77 paraqitje në të gjitha garat.

Që nga largimi i tij nga Real Madridi, thuajse në çdo afat kalimtar është përfolur mundësia e rikthimit të tij në “Santiago Bernabeu”.

Edhe pse profili teknik dhe kreativ i Paz duket i përshtatshëm për të marrë një rol të rëndësishëm në Argjentinën e re, trashëgimi i fanellës me numrin 10 do të sillte presion të jashtëzakonshëm.

Në fund të fundit, ajo fanellë po lihet e lirë nga një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.

Mesazhi emocional i Messit pas tërheqjes

Në deklaratën e tij për largimin nga kombëtarja, të publikuar vetëm dy ditë pas humbjes së Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës në New Jersey, Messi pranoi se vendimi kishte qenë jashtëzakonisht i vështirë.

“Është një vendim që më ka dhembur dhe vazhdon të më dhembë thellë, por e kuptoj se ka ardhur momenti”, deklaroi Messi.

Ai theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij kishte dhënë maksimumin për kombëtaren, jo vetëm gjatë viteve të fundit kur Argjentina fitoi trofetë më të mëdhenj, por edhe gjatë periudhave më të vështira.

Messi tha se gjithmonë kishte luftuar për fanellën e Argjentinës, me synimin për t’u dhuruar gëzim tifozëve dhe për t’i bërë ata krenarë për kombëtaren e tyre.

“Koha kalon, kapitujt mbyllen dhe ky është një kapitull që më dhemb shumë. E dua, e kam dashur dhe gjithmonë do ta dua faktin që kam qenë pjesë e kombëtares.

Kam dhënë gjithçka që kam pasur. Nuk kam më asgjë për të dhënë dhe, përveç kësaj, po vijnë disa futbollistë të rinj shumë të mirë, të cilët e meritojnë të jenë këtu”, përfundoi Messi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës në Qeverinë Kurti I, Haki Abazi, ka…